Kujdes: Në rrugën për Restelicë rrëshqet dheu!

Kujdes: Në rrugën për Restelicë rrëshqet dheu!

Dragash, 28 janar 2019 – Në afërsi të fshatit Krushëvë, në magjistralen Dragash – Restelicë, është vështirësuar qarkullimi pasi në mbrëmje ka rrëshqitur dheu dhe gurë masivë. Lajmi është konfirmuar për redaksinë tonë nga këshilltari në Kuvendin e Komunës së Dragashit, Velid Haxhisin, i cili ka apeluar tek drejtuesit e automjeteve që të bëjnë kujdes në këtë pjesë të rrugës.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka reaguar, duke specifikuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30. “Kompania e mirëmbajtjes është duke punuar në pastrimin e tërësishëm të kësaj zone dhe aktualisht një korsi tashmë është lëshuar për qarkullim. Pjesa e rrugës në të cilën po kryhen punimet është shenjëzuar me sinjalistikë paralajmëruese dhe lusim qytetarët të kenë kujdes gjatë qarkullimit në këtë segment, deri në përfundimin e plotë të punimeve në pastrimin e këtij aksi rrugor”, thuhet në njoftimin e ministrisë.