Prizren, 31 maj 2019 – Një rrugë në Prizren ishte emërtuar me emrin e mjekut martir, Halil Berisha, me prejardhje nga fshati Buçe e Opojës, si shenj respekti për veprat e tija para 30 vjetësh. Ishte Halil Berisha, i cili kishte konstatuar se një i burgosur politik ishte mbytur në burgun e Prizrenit dhe më pas trupin e tij e kishin hedhur nga dritarja, për ta kamufluar sikur ai kishte bërë vetëvrasje. Për këtë shkak, mjeku e kishte pësuar edhe vetë. Atë e kishin helmuar, por sërish konstatimi zyrtar ishte se vdekja e tij erdhi natyrshëm. Kjo e ka bërë mjekun, Halil Berisha, martir të kauzës shqiptare në Kosovën e viteve të tetëdhjeta. Prandaj, një rrugë u emërtua me emrin e tij. Por, sot në këtë rrugë duken tabelat me emër tjetër.
Familjarët e mjekut që u helmua para 30 vjetësh, janë habitur kur kanë parë tabelën “Mejdani i Shkodrës”, në vend të asaj “Halil Berisha”.
Duke kërkuar në Google Map, qartazi dallohet se kjo rrugë ende mban emrin e mjekut, por në terren duken tabela të tjera. Familjarët me habi po pyesin se çfarë ka ndodhur me këtë emërtim, nga kush ka ardhur dhe, si figuron zyrtarisht në kadastrën e Prizrenit. Por, përgjigjen po presin ta mësojnë më 3 qershor, kur në shtëpinë e kulturës “Xhemali Berisha” në Prizren, do të përkujtohet 30-vjetori i matirizimit të tij.