Lipjan, 26 mars 2026 – Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, e ka pritur sot në takim zyrtar kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i cili ishte i shoqëruar edhe nga nënkryetari, Vetim Ramadani, shefen e kabinetit të tij, Arjeta Skeraj, si dhe drejtorin e Ekonomisë… Qamil Kolloni, me të cilët është diskutuar për çështjet që lidhen me qeverisjen lokale.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, falënderoi homologun e tij për vizitën dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy komunave, të cilat ndërlidhen me qeverisjen lokale. “Gjatë këtyre viteve jemi fokusuar në realizimin e projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillim ekonomik. Në këtë drejtim do të vazhdojmë me investime të qëndrueshme në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi”, tha Ahmeti.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, falënderoi Kryetarin Ahmeti për mikpritjen, duke i vlerësuar zhvillimet e arritura në Komunën e Lipjanit, komunë kjo e cila viteve të fundit ka shënuar progres të dukshëm në realizimin e projekteve, në shërbim të qytetarëve. “Të arriturat që duken tashmë, janë bërë shembull se si qeveriset mirë në një komunë. Ne i vlerësojmë këto të arritura të z. Ahmeti dhe gjithmonë veprat e mira i marrim si shembull për qeverisjen tonë në Dragash”, ka thënë Xheladini.
