Prizren, 20 mars 2018 – Kohët e fundit, në shumë shitore të mëdha, konsumatorët po hasin në çmime mashtruese, duke u joshur me zbritje fallso të tyre. Konsumatori, Fazli Kalanderi, sot në Prizren, në njërën nga shitoret e mëdha ishte ndier i mashtruar. Ai në redaksinë tonë ka raportuar se ka hasur në çmime të njëjta por, të reklamuara sikur ato janë në zbritje. “Rastësisht shpalosa vetëm një çmim dhe pashë se ai nuk ishte me zbritje por i reklamuar si i tillë. Fillova t’i shpalosja me radhë çmimet tjera dhe mashtrimi ishte i njëjtë. Mbi çmimin aktual kishin vendosur çmimet reklamuese, kinse kanë qenë më të shtrenjta dhe tani janë ulur por, në fakt ajo ulje ishte çmimi që kishte qenë edhe më parë”, thotë konsumatori Kalanderi, duke shprehur revoltën e tij për mos reagim të organeve gjegjëse.