Dragash, 03 dhjetor 2024 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, si dhe Shoqata e Afaristëve “SHARRI” zhvilluan sot një takim të rëndësishëm, për t’i adresuar problemet e vazhdueshme rreth furnizimit të keq me energji elektrike në këtë komunë, ndonëse nga kjo komunë prodhohet dyfish më shumë energji seç konsumohet.
Takimi vjen pasi një kohë të gjatë situata e furnizimit me energji elektrike në tërë territorin Komunës së Dragashit është e paqëndrueshme, duke pasur dërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, të cilat po krijojnë pasoja të shumta dhe humbje të mëdha ekonomike për bizneset lokale, si dhe dëme të ndryshme në amvisëri. “Ndonëse në territorin e Komunës së Dragashit operojnë hidrocentrale që prodhojnë energji elektrike më shumë se sa që konsumojnë qytetarët e Komunës sonë, ajo prapë po neglizhohet nga institucionet përgjegjëse dhe qytetarët e bizneset po ballafaqohen çdo ditë me mungesë të energjisë elektrike. Kërkojmë nga institucionet kompetente të KEDS-it dhe KOSTT-it që të ndërmarrin hapa konkretë dhe të menjëhershëm për përmirësimin e situatës së furnizimit me energji elektrike në Komunën e Dragashit”, thuhet në reagimin e përbashkët, duke shtuar se Komuna e Dragashit dhe Shoqata e Afaristëve “SHARRI” janë të gatshëm për t’u takuar me institucionet përgjegjëse, ku do t’i adresonin problemet dhe shqetësimet e qytetarëve dhe bizneseve lokale, në mënyrë që situata me energji elektrike të normalizohet sa më shpejt.