Dragash, 30 prill 2014 – Katër familje nga fshati Brezne, në trevën e Opojës së Dragashit, gati një muaj kanë mbetur ne terr, pasi bora e fundit ua ka prishur linjën, e cila ishte improvizuese dhe e përkohshme. Më 10 prill, familjarët kanë parë se një shtyllë elektrike ishte shtrirë përtokë, por energjia nuk ishte ndërprerë. Për shkaqe sigurie, familjarët kishin njoftuar KEDS-in, të cilët kishin dalë në terren. Dhe, krejt çka kishte bërë kjo e fundit, ishte shkyçja. “Ne deshëm që të jemi korrekt, duke menduar se përdhosja e shtyllës përbënte rrezik dhe, mendonim qe KEDS-i e ka për obligim riparimin e shtyllës. Por, sapo arriti ekipi i tyre, krejt çfarë bënë, ishte shkyçja. Sot e asaj dite ne jemi pa energji elektrike”, i tha Radio Sharrit, Halit Gashi, njëri nga familjarët që kanë mbetur ne terr.
Të martën, ky problem u parashtrua edhe në mbledhjen e rregullt të Kuvendit komunal, në të cilën u akuzuan krerët e Komunës së Dragashit, për mosinteresim rreth kësaj çështjeje. I pari i Komunës, Salim Jenuzi, tha se problemi është tek kundërshtimi i pronarit të tokës, ku ndodhej shtylla e përkohshme elektrike. “Ky person nuk lejon vendosjen e shtyllës së re në pronën e tij. Prandaj, jemi duke shqyrtuar mundësinë që këto familje të lidhen me një rrjet të ri, nga Llopushniku, pasi nga rrejti i fshatit Brezne është shumë larg”, iu tha Jenuzi këshilltarëve.
Radio Sharri ka kontaktuar edhe me Njësinë e KEDS-it në Dragash, nga ku ka mësuar se rasti në fjalë i ka kaluar Prizrenit. “Ne e kemi përcjellë rastin në Prizren dhe, nga ata duhet kërkuar zgjidhja”, tha shkurt udhëheqësi i kësaj njësia, Selami Domuzeti. Ndërkohë, nga vendi i ngjarje mësohet se sot ka qëndruar një ekip i KEDS-it tek këto familje, por që nuk ka bërë ndonjë zgjidhje. Kështu, katër familjet do të vazhdojnë të mbesin në terr edhe në vazhdim. I kontaktuar nga redaksia jonë, Halit Gashi, njëri nga kryefamiljarët që po tenton të gjej zgjidhje, tha se nuk do të durojnë më këtë gjendje. “Ne jemi pagues të rregullt të energjisë, prandaj nuk do të tolerojmë këtë neglizhencë. Do t’i shtrijmë kabllot përtokë dhe do ta lidhim vetë, pastaj shikojmë se si do bëhet”, u shpreh i revoltuar, Halit Gashi.
Katër familje nga Brezna, gati një muaj pa energji elektrike!
POSTIMI I RADHËSKapet nxënësi, i cili me revole shkonte në shkollë!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.