Prishtinë, 24 mars 2014 – Ndërhyrja e forcave ajrore të Aleancës Veri-atlantike (NATO), kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, e cila filloi 15 vjet më parë, me 24 mars 1999, shënoi fillimin e bombardimeve për 78 ditë mbi këto caqe, si dhe ngjalljen e shpresës për qytetarët e Kosovës, se liria ishte afër. Kështu e vlerësojnë zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, njohësit e çështjeve të sigurisë dhe qytetarët që i kishin përjetuar momentet e fillimit të bombardimeve, shkruan sot në portalin e saj, Radio Evropa e Lirë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një deklarate për media, ka thënë se Kosova po shënon përvjetorin më të rëndësishëm në historinë e re. “Në këtë 15 vjetor, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për SHBA-në dhe vendet anëtare të BE-së, për Aleancën e NATO-s, që parandaluan spastrimin etnik të Kosovës dhe që, përmes sulmeve ajrore në mbrojtje të popullit të Kosovës, i dhanë fund një regjimi shtypës, për të mundësuar një jetë të re”, ka deklaruar presidentja Jahjaga. Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, fillimin e bombardimeve të caqeve serbe, nga ana e forcave ajrore të NATO-s, e rikujton si ditën e fillimit të fitores së madhe. “Është dita e fillimit të fitores së madhe. Prandaj, uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë ditë të jashtëzakonshme dhe historike për popullin tonë”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Megjithatë, institucionet e Kosovës me këtë rast nuk kanë organizuar ndonjë manifestim, përmes të cilit do të shënohej 15 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.
Naim Maloku, ekspert i çështjeve të sigurisë, i cili 15 vjet më parë ishte pjesëtar i njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rikujton fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, si momentin, i cili kishte vulosur bindjen se lufta në Kosovë po shkonte drejt përfundimit. “Aspekti i parë është se, intervenimi ka pasur bazë dhe karakter humanitar. Është hera e parë që NATO merr një aksion humanitar, për të ndaluar vuajtjet e popullatës civile shqiptare, për t’i kthyer një milion të shpërngulur, për të ndaluar masakrat mbi popullatën civile. E dyta, dislokimi i forcave të KFOR-it (NATO-s) në Kosovë, ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm pozitiv, në zhvillimet pozitive, në përshpejtimin e dinamikës së ndryshimeve pozitive në rajon”, shprehet Maloku.
Edhe qytetarët e Prishtinës e rikujtojnë fillimin e intervenimit të Aleancës veri-atlantike mbi caqet serbe. Qenan Çitaku, thotë se me 24 mars 1999, kur kishte goditur bomba e parë e NATOS mbi caqet serbe, kishte qenë kujdestar në, siç e quajti ai, repartin e Termoelektranës, në Obiliq. “Në orën 8 pa 2 minuta, ishim të mbledhur në repart. Ne fituam një lloj gëzimi të madh. Në mesin tonë pat edhe serbë. Ata thanë ‘e patë se çka ndodhi’? Unë pa një pa dy u thash ‘e keni lypë dhe e keni gjetur’. Pastaj na thanë: ‘keni për të parë se çfarë ka për të ndodhur tash e tutje’. Edhe vërtetë ndodhi”, tregon Çitaku.
Ruzhdi Morina, po ashtu një qytetar nga Prishtina, rikujton se, kur nisën bombardimet mbi caqet serbe nga forcat ajrore të NATO-s, qytetarët shqiptarë e kishin pritur me gëzim atë moment. “Kur kanë rënë bombat, fillimisht, të drejtën ta them, ne kemi duartrokitur. Ai ishte një shpëtim humanitar i një populli, ashtu sikurse e shpëtuan, të themi, popullin izraelit prej fashizmit”, krahason Morina.
Ndryshe, analisti Maloku vlerëson se intervenimi i NATO-s mbi caqet serbe dhe prania e saj përmes KFOR-it në Kosovës, tash e 15 vjet, ka luajtur dhe po vazhdon të luaj rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin. “Po të mos ishte KFOR-i këtu, nuk do të mund të përmbahej Serbia pa ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë. Praktikisht, NATO-ja, përmes KFOR-it, këtu e ka rëndësinë e veçantë për sigurinë, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit. Praktikisht, siguria e Kosovës dhe rajonit është kështu siç është, falë asaj që është NATO-ja e dislokuar në Kosovë”, thekson Maloku.
Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, në vitin 1999 u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, nga 36 vende të ndryshme të botës, nga të cilët 30 mijë ishin nga vendet anëtare të NATO-s. Ndërkaq sot, me një numër shumë të vogël, forcat paqeruajtëse të NATO-s vazhdojnë operimin e tyre në Kosovë.
Bombardimet e NATOS mbi caqet serbe përfunduan, pas 78 ditësh, me marrëveshjen e Kumanovës, e cila në qarqe të ndryshme cilësohet edhe si kapitullim i Serbisë. Pak ditë më vonë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1244, përmes së cilës Kosova do të administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara. Por, me 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.
Intervenimi i NATO-s, konsiderohet vendimtar!
POSTIMI PARAPRAKGardiani theret nga i burgosuri shqiptar – Tronditet Greqia
POSTIMI I RADHËSZëdhënësja e NATO-s, reagon në postimin e Vlora Çitakut!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.