Iniciohet shkarkimi i Bordit të RTK-së!

Iniciohet shkarkimi i Bordit të RTK-së!

Prishtinë, 22 qershor 2021 – Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka iniciuar shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe kërkesa i është dërguar Kuvendit për miratim. Në votim morën pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa opozita e ka quajtur këtë si vendim politik.
Kryetarja e komisionit, Doarsa Kica-Xhelili, ka lexuar arsyet që janë dhënë nga komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për shkarkimin e bordit të RTK-së, ku thuhet se shihet qartë që ka shkelje të Ligjit për RTK-në nga të njëjtit. Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e ka quajtur vendim politik inicimin e shkarkimit të bordit të RTK-së. “Mediumi publik, RTK, ka ngecje të mëdha pavarësisht mbështetjes që ka dhënë ky Kuvend por, të gjeturat nuk kanë qenë në masën që të ketë një shkarkim të tillë. E shohim që ka vullnet për shkarkim, ne e dimë që ky shkarkim po bëhet për qëllime politike”, tha ai.
Edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu, tha se një vendim i tillë është politik. “Nuk është bërë një vlerësim meritor i bordit edhe pse ai bord ka lëshime. Ky rekomandim është politik dhe tentim për kapjen e mediumit publik. Rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Transfere, për mua nuk janë bindëse dhe se nuk do të duhej të jepej një rekomandim i tillë. Është tërësisht një veprim politik, ju e keni shumicën, por për mua kjo formë është e papranueshme”, tha Veliu.
Deputeti i LV-së, Valon Ramadani, tha se në televizionin publik ka abuzime të shumta, për çka tha se Prokuroria duhet të merret me këtë çështje. “Nuk e kanë kryer punën siç duhet. Ka keqpërdorime, ka abuzime, sa që prokurori duhet të merret me këtë çështje. RTK ka nevojë për reformim”, tha ai. Ndërkaq deputeti tjetër i LV-së, Nijazi Isaku, ka kërkuar që, si komision, të reagojnë edhe në lidhje me deklaratat, siç tha ai, seksiste të zëvendësdrejtorit, Mentor Shala, drejtuar kryetares së këtij komisioni.


 

KËRKO FJALËT