Globi Selaj, konkurrenti i parë nga Dragashi në “The Voice of Albania” (Video)


globi selaj the voiceTiranë, 17 tetor 2014 – Djaloshi nga fshati i vogël i Opojës, Zymi, mbrëmjen e së premtes është bërë konkurrenti i parë nga komuna e Dragashit që ia ka dalë të garojë në “The Voice of Albania”. Më këngën “All of Me”, djaloshi opojan e ka joshur këngëtaren e madhe, Elsa Lila, e cila ishte e vetmja që shtypi butonin dhe kështu e pranoi Globin në grupin e saj.
Edhe pse nuk shtypën butonin, fjalë miradie thanë për Globin edhe këngëtarët tjerë, të cilët në fazat e ardhshme të këtij kompeticioni, do t’i trajnojnë të përzgjedhurit e tyre për fazat pasuese, ku do të ketë gara mes konkurentëve. “Jam lutur shumë që të jem pjesë në këtë Show, për ta prezantuar talentin tim”, tha Globi Selaj, pasi u bë pjesë në këtë garë tejet konkurruese.
Globi është prezantuar nga “The Voice” si një besimtar mysliman, i cili nuk ka asnjë lloj përvoje muzikore, përveç talentit që e ka nga Zoti. Globi rrëfen se është mjaft fetar dhe i është lutur Zotit çdo natë që aplikimi tij në “The Voice” dhe audicioni ku ai mori pjesë, ta bindin stafin për ta pranuar në këtë sfidë. Thotë se po merr pjesë në “The Voice” për të plotësuar një ëndërr, jo vetëm të tijën por edhe të gjithë familjes.
Mësimet e para në fushën e muzikës, Globi i ka marrë nga prindërit. Babi është profesor i gjeografisë në gjimnazin “Ruzhdi Berisha” në Dragash, ndërsa e ëma ka të mbaruar elektron. Kjo e fundit, tregon Globi, shpesh i thotë se, si fëmijë, më parë ka filluar të këndojë sesa të flasë.
Globi dëshiron të bëhet inxhinier rrugor në të ardhmen, por nuk dëshiron të heqë asnjëherë dorë nga dëshira dhe pasioni i tij për këndimin. Sapo ka përfunduar paraqitjen, Globi e ka falënderuar publikisht këngëtaren, Elsa Lila, e cila ishte e vetmja që shtypi butonin dhe me këtë realizoi ëndrrën e tij.
Ky Show, i cili organizohet në “Top Channel” mban firmën e “Talpa International Productions” dhe promovon zërat më të mirë të muzikës së lehtë, që duan të lançohen në tregun muzikor. Ky kompeticion bazohet vetëm tek zëri i konkurrentit, gjë që e bën të dallohet nga formatet e tjera në botë.

Kliko për Video, KËTU!