Bruksel, 16 tetor 2014 – Në konferencën e sotme për media të Komisionit Evropian në Bruksel, gazetarja shqiptare, Erisa Zyka, e pyet pa kurrfar kompleksi zëdhënësen e baroneshës Eshton, se si mund të konsideronte si një menaxhim profesional të situatës, gjithë atë që ndodhi në Beograd, në ndeshjen Serbi – Shqipëri.
Maja Kociançiq, zëdhënësja e baroneshës Ketrin Eshton, iu përgjigj se qëndron pas deklaratës së saj, për të cilën tha se nuk është kuptuar mirë. “Tifozët shqiptarë nuk u lejuan të merrnin pjesë në këtë ndeshje, ndërkaq tifozët serbë ulërisnin, duke bërë thirrje për vrasjen e shqiptarëve.
Ata hodhën sende të forta dhe fishekzjarre mbi futbollistët shqiptarë, hodhën shumë kohë më përpara se të dukej droni. Huligani, Ivan Bogdanov, i cili shkaktoi edhe anulimin e ndeshjes Itali – Serbi, në vitin 2010, u pa në fushë, kur futbollistët shqiptarë ishin subjekt i dhunës, jo vetëm nga tifozët serbë, por edhe nga forcat serbe të sigurisë”, i tha gazetarja Zyka zëdhënëses Kociançiq, para se t’i parashtronte pyetjen, se si mundi ajo ta konsideronte gjithë këtë si një menaxhim professional të situtës.
Shiko videon KËTU!