Prishtinë, 08 janar 2015 – Me pankarta në duar, ku shkruante “Je suis Charlie” (Unë jam Charlie), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është solidarizuar sot me viktimat e sulmit të djeshëm mbi revistën satirike franceze “Charlie Hebdo” në Paris. Dhjetëra gazetarë nga të gjitha mediat e Kosovës janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj fjalës së lirë. Kreu i AGK-së, Zekirja Shabani, tha se sulmi i djeshëm dhe çfarëdo sulmi tjetër ndaj gazetarëve, është përpjekje e dështuar për ta mbytur fjalën e lirë. “Gazetarët do të vazhdojnë ta përkrahin njëri-tjetrin, do të vazhdojnë të ngrenë zërin për padrejtësitë, për ato çfarë ndodhin rreth nesh. Do të vazhdojmë ta njoftojmë drejt opinionin”, u shpreh Shabani.
Në këtë tubim ka marrë pjesë dhe zv.ambasadorja e Francës në Kosovë, Lise Moutoumalaya, e cila i ka falënderuar gazetarët që po e ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave. “Dua të them pak fjalë. Dua vetëm t’i falënderoj të gjithë njerëzit, veçanërisht këtu në Kosovë, që shprehin solidaritetin për viktimat dhe familjarët”, tha ajo, duke mbyllur fjalimin me parullën – Unë jam Charlie.
• Kliko këtu për VIDEO