Gani Geci vrau një person – Viktima është Ruzhdi Shaqiri!


gani geci vrasjeSkenderaj, 04 gusht 2014 – Ruzhdi Shaqiri, një afarist nga Baksi, është vrarë sot pasdite nga, Gani Geci, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë.
Incidenti ka ndodhur në qendër të qytetit të Skenderajt, derisa Geci, ende gjendet në arrati.
Skenderaj është mbushur me pjesëtarë të njësisë speciale të policisë, të cilët janë vënë në kërkim të Gecit. Mësohet se viktima ishte nipi i Sabit Gecit, me të cilin Gani Geci i kishte marrëdhëniet e acaruara, raportojnë mediat qendrore të Kosovës.
Teksa viktima ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës, disa portale thonë se e kanë kontaktuar dorasin e kësaj vepre, i cili e ka arsyetuar këtë vrasje, duke thënë se, personi të cilin e vrau sot, ia kishte sharë publikisht nënën, si dhe e ka kërcënuar me vrasje. “Ditën kur Ruzhdi Shaqiri e ka kërcënuar redaksinë e gazetës ‘Bota Sot’, atë ditë më ka sharë nënën, si dhe më ka kërcënuar, duke më thënë se do të ma bëjë, më zi se atyre… Pyeteni gazetarin e ‘Bota Sot’. Nga ajo ditë, se kam parë më. Sot kishte ardhur në Skenderaj dhe, kur kam hyrë në atë kafe, ai s’ka qenë aty dhe, duke dalë nga lokali, e kam parë se si më shante dhe e çoi dorën tek alltia. Unë e nxora më shpejtë se ai. Gjithçka ka ndodhur për pesë sekonda”, citohet të ketë thënë Geci, duke kërkuar nga policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës që ta marrin në pyetje gazetarin N. dhe Idriz Morinen. “Unë kam menduar se ai ka ardhur aty të më vriste dhe, prej frikës se do më vrasë pas shpine, kam shtënë. Rasti ka ndodhur në afekt. Më vjen keq që ndodhi kështu, por ky është realiteti”, citohet të ketë thënë, Gani Geci.