Prizren, 22 janar 2016 – Anëtarja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, nga radhët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, sot u shpall e pafajshme ndaj akuzave që i kishte ngritur drejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, për shpifje ndaj tij.
Çoçaj e kishte paditur Millakun për deklaratat që ajo i kishte bërë në vendin e saj të punës, duke kërkuar në fillim 3 mijë euro dëmshpërblim. Në padinë e Çoçajt thuhej se Millaku, në cilësinë e kuvendares, më 26 shkurt 2015 kishte bërë deklarime të pavërteta nga foltorja e Kuvendit të Prizrenit, në lidhje me listat e pagave të mësimdhënësve të shkollës fillore “Lekë Dukagjini”. Sipas padisë, Millaku kishte thënë se në këtë shkollë po mbahet e fshehur lista e pagave, pasi që aty punonte gruaja e drejtorit të arsimit, Nexhat Çoçaj, e cila dyshohet se ka përfituar nga paga. Çoçaj në padi kishte thënë se deklarimet e pamatura të Millakut u bënë shkas për thirrjen e protestave dhe parullave që u përdorën në to kundër tij, më 7 mars 2015.
Gjatë shqyrtimit kryesor, Çoçaj e kishte pesëfishuar kërkesën e tij për dëmshpërblim, nga 3 mijë euro sa ishte në fillim, në 15 mijë euro. Por, Gjykata Themelore në Prizren ka nxjerrë aktgjykim, me të cilin e ka shpallur të pafajshme Millakun. Ndërsa i është refuzuar kërkesëpadia e paditësit, Nexhat Çoçaj, si tërësisht e pabazuar. Në arsyetimin e gjykatës, ndër të tjerash thuhet se deklaratat e të paditurës Millaku, të dhëna në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, më shumë përmbajnë dyshime se sa konstatime, apo akuza të drejtpërdrejta për çështjen kontestuese.
Poashtu, gjykata ka vlerësuar se është në mandatin e të paditurës që, si anëtare e Kuvendit të Komunës, të ngrejë çështje të caktuara, të cilat konsiderohen se janë në interes të qytetarëve që i përfaqëson ajo. Kështu që gjykata erdhi në përfundimin se, bazuar në Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, e paditura nuk mban përgjegjësi për deklarimet e saja, të bëra në cilësi të anëtares së Kuvendit të Komunës, gjatë punimeve të këtij institucioni.
Në një prononcim për Radio Sharrin, Millaku ka thënë se këtë fitore ia dedikon qytetarëve, të cilët, sipas saj, kanë dhënë kontribut në denoncimin e parregullsive tek partia e saj. “Këtë fitore ua dedikoj qytetarëve, të cilët kanë dhënë kontribut të çmueshëm, në adresimin e ankesave tek adresa e duhur, që është Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Millaku. Megjithatë, ajo nuk është shprehur me admirim ndaj sistemit të drejtësisë, për të cilin vazhdon të mendojë se është i kapur nga klanet mafioze të politikës. “Në rastin tim, drejtësia është treguar profesionale. Por, kjo nuk do të thotë se në rastet tjera drejtësia nuk është e kapur nga klanet mafioze të politikës”, ka thënë Millaku për Radio Sharrin.
Nga ana tjetër, drejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, ka thënë se ende nuk e ka pranuar aktgjykimin me shkrim. “Unë ende nuk e kam pranuar vendimin me shkrim dhe, nëse është e vërtetë që më është refuzuar padia, unë ju paralajmëroj se do të bëj ankesë, brenda afatit ligjor, në gjykatën e shkallës së dytë, kundër këtij vendimi”, tha Çoçaj për – Kallxo.com
Drita Millaku triumfon kundrejt drejtorit Nexhat Çoçaj!
POSTIMI PARAPRAKKriza energjetike – Qytetarët protestojnë me ironi!
POSTIMI I RADHËSParlamenti Evropian miraton MSA-në për Kosovën
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.