Dragash, 09 gusht 2014 – Qyteza e Dragashit po gumëzhinë në këtë sezon veror, ani pse nuk është vendbanim bregdetar apo ndonjë vend që zgjon interesimin e turistëve.
Ajo që më së shumti dihet, është fluksi i mërgimtarëve që vijnë në vatrat e tyre për pushime, si dhe sezoni i dasmave të shumta që organizohen në këtë stinë.
Por, ajo që ka filluar të dëgjohet tek banorët e kësaj qyteze të vogël, janë akuzat që i drejtohen policisë dhe pushtetit lokal. Për këta të fundit, akuzat po bëhen se nuk po veprojnë në përgatitjen për këtë fluks, si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në atë ligjor, duke nxjerrë urdhëresa administrative, me të cilat do të rregulloheshin sjelljet dhe veprimet e popullatës. Ndërkaq, në adresë të policisë drejtohen akuza, se nuk po i zbaton ligjet dhe rregullat, për të tilat është e thirrur. Madje, ka edhe nga ata qytetarë që thonë se, pikërisht policia është shkelësja më e madhe e ligjeve, kur është në pyetje trafiku.
Redaksia jonë ka kontaktuar me këta të fundit, duke ua përcjellë të gjitha këto mendime të qytetarëve, si dhe ankesat e tyre në këtë adresë. Zv-komandanti i Stacionit policor në Dragash, Elam Seferi, thotë se policia ka marrë disa ankesa nga qytetarët, si për problemin e qenve endacakë, tollovitë nëpër rrugët e Dragashit, parkimet e automjeteve, vënd e pa vend, gazmendet familjare që po e paralizojnë Dragashin etj. “Të gjitha ankesat e qytetarëve, ne ua përcjellim organeve kopetente, siç është rasti i qenve endacakë, për të cilin problem ne kemi biseduar edhe me strukturat komunale, të cilave ua kemi përcjellë këtë shqetësim të qytetarëve. Ndërkaq, për problemet që janë në kompetencat tona, gjithsesi se marrim masa dhe japim maksimumin që të reagojmë”, tha Seferi për Radio SHARRI-n, duke përmendur edhe specifikat që ka Dragashi, ku, siç thotë, deomos duhet bërë tolerime. “Ne jemi të vetëdijshëm për të gjitha këto tollovi por duhet kuptuar se jemi vend i vogël dhe nuk i përballojmë dot flukseve të tilla. Rreth një mijë automjete qarkullojnë nëpër rrugët e Dragashit dhe kjo është ngarkesë e madhe, për zgjidhjen e së cilës kërkohen edhe kushte, siç janë vendparkingjet dhe kushtet tjera që kërkohen në trafik”, thotë Seferi, duke shtuar se për çështjen e tollovive që po shkaktohen me dasma, nuk kanë ç’bëjnë, pasi kjo është kthyer në modë. “Askush nuk kërkon leje nga ne për organizime të dasmave në hapësirat publike. Kjo mbetet të rregullohet nga organet përkatëse. Ajo që ne i kushtojmë rëndësi, është parandalimi i konflikteve të mundshme dhe, në këtë aspekt ne jemi të lumtur që nuk kemi asnjë konflikt ndërnacional. Ne e dimë se të gjithë janë qytetarët tanë dhe mundohemi të sillemi mirë me ta. Prandaj, ne gjithnjë kërkojmë bashkëpunimin e tyre me ne, duke na telefonuar për çdo ndodhi. Për telefonatat e tyre, ne iu garandojmë privatësi të plotë dhe nuk duhet të ken dyshime për këtë. Kjo i kontribuon sigurisë së përgjithshme, sepse ne nuk mund të jemi kudo. Sa i përketë trafikut, ne nuk jemi këtu vetëm për të ndëshkuar timonierë, por edhe për t’i vetëdijësuar ata. Kjo ka bërë që të kemi shumë pak aksidente në trafik”, thotë mes tjerash, Elam Seferi, në një bashkëbisedim me Radio SHARRI-n, përkitazi me tollovitë e shumta në Dragash, ku fluksi i mërgimtarëve, dasmat dhe ditët e tregut, po e paralizojnë qytezën.
http://youtu.be/8AgBHJiji8c