Detaje rreth sulmit ndaj zyrtarit, Vetim Ramadani!

Detaje rreth sulmit ndaj zyrtarit, Vetim Ramadani!

Dragash, 22 janar 2025 – Policia regjionale në Prizren ka raportuar rreth ngjarjes që kishte ndodhur ditë më parë në Komunën e Dragashit, duke e cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar. “Rreth orës 09:00, të datës 20 janar 2025, është raportuar se një person është sulmuar dhe kanosur nga një i dyshuar, i cili tashmë është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë.
Redaksia jonë ka kontaktuar me zyrtarët e Komunës së Dragashit, ku ka mësuar se ishte sulmuar zyrtari, Vetim Ramadani, i cili vazhdon drejtimin e Drejtorisë së Administratës, por që zyrtarisht është zgjedhur si Specialist për teknologji zgjedhore.
Vetë Ramadani e ka konfirmuar ngjarjen, duke thënë se gjithçka e kanë lënë në duart e organeve të sigurisë dhe se shumë shpejtë do të dali publikisht me një komunikatë, ku do të sqarojë gjithçka.
Mbrëmë, ai e ka publikuar komunikatën, në të cilën ka sqaruar gjithçka, duke u zotuar në fund se asgjë nuk do ta ndalë në ushtrimin e funksioneve dhe se vullnetin e tij nuk mund ta thyaj asnjeri.

Të dashur miq,
Të dashur familjarë dhe dashamirë,
Të dashur qytetarë të komunës së Dragashit,
Mëngjesin e së hënës, në ambientin tim të punës, jam bërë cak i një kërcënimi dhe tentim-sulmi verbal dhe fizik.
I gjendur në një situatë të tillë, menjëherë kam telefonuar institucionin e sigurisë – Stacionin Policor në Dragash që të intervenojë. Pas reagimit të shpejtë dhe efikas, Policia e Kosovës ka arritur ta neutralizojë menjëherë personin kërcënues, duke e shoqëruar atë në masë paraburgimi dhe është iniciuar rasti për sulm fizik ndaj zyrtarit publik.
Pozita publike që unë mbaj dhe puna e përditshme që bëj, gjithmonë ka qenë, është dhe do të mbetet në të mirë të komunitetit dhe mjedisit ku jetoj.
Të jesh në shërbim të qytetarëve, jo rrallë të ekspozon edhe ndaj rrezikut dhe sfidave të natyrave nga më të ndryshmet por, përkushtimi ndaj punës, mirëkuptimi, durimi ndaj tjetrit dhe vendosmëria në qëndrime janë ato të cilat më kanë ndihmuar ta përmbaj veten dhe të mos bie pre e provokimeve që do t’më pengonin në fitoren e çdo beteje, padyshim, bashkërisht në arritjen e çdo synimi.

Të dashur qytetarë të komunës sonë,
Si prind i dy fëmijëve, të cilët kam vendosur t’i rrisë në këtë vend, si bashkëshort që familjen e konsideroj simbol të pasurisë, si besimtar i Zotit Një dhe të padiskutueshëm dhe si ushtrues i një funksioni publik në institucionet e Komunës së Dragashit, frikën dhe kërcënimin edhe mund ta njoh, por assesi ta pranoj. Veprime të tilla rrugaçërie janë të papranueshme dhe të patolerushme për mua dhe gjithë komunitetin.
Çdo kërcënim është i dobët, përballë vullnetit tim për punë. Çdo tentim për sulm, është i dobët përballë forcës së ndryshimit në të mirë të komunitetit.
Falënderoj përzemërsishtë të gjithë miqtë, dashamirët dhe qytetarët që janë interesuar për këtë çështje.

Mbetshi me shëndet.