Dragash, 23 tetor 2019 – Në tetë vendvotimeve të cilat kanë shkuar në rinumërim në Dragash, monitoruesit e KALLXO.com, të cilët janë duke e përcjellë procesin e rinumërimit të votave edhe në Dragash, kanë vënë në pah dallime të mëdha që nga hera e parë e numërimit të votave dhe pastaj në rinumërim. Sipas këtij raporti, pas rinumërimit vërehen ndërrime në vota, në mes të anëtareve të së njëjtës parti, si dhe në disa raste edhe në mes të partive. Dallimi më i madh është vënë re në qendrën e vendvotimit me Nr.0508A/01R, (Blaç), qendër kjo e cila është kryesuar nga Nexhmi Dauti, me anëtarët Mirat Kamberi, Arbër Hajredini, Rami Saiti, Xhabir Rakipi, Bekim Faiki dhe Visar Dauti.
Në këtë qendër, herën e parë të numërimit, Partia Demokratike e Kosovës, nuk kishte marrë asnjë votë ndërsa në rinumërim e njëjta mori 133 vota. Por, nga rinumërimi në këtë qendër, siç duket humbi Partia e Ashkalinjve për Integrim, e cila herën e parë mori 135 vota por rinumërimi nxori në pah se e njëjta, në fakt kishte vetëm një votë. Po në këtë qendër të vendvotimit, pas numërimit pati ndryshime në rezultat për 47 kandidatë. Gabimet më të mëdha u vërejtën gjatë numërimit të votave për kandidatët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku rinumërimi solli ndryshim të rezultatit në 20 raste.
Edhe në vendvotimin me Nr.0515A/01D (Zym), të kryesuar nga Blertian Krrabaj, me anëtarët Ruzhdi Qollopeku, Kaltrina Durmishi, Adem Tahiri, Elida Dedari dhe Blendiana Sela, u vërejt një gabim i madh gjatë numërimit të votave për parti. Në këtë qendër të vendvotimit, në numërim PDK-ja nuk mori asnjë votë por rinumërimi vuri në pah se në të vërtetë PDK-ja kishte marrë 101 vota e që gjatë shënimit të këtyre votave, me apo pa dashje, ishte bërë gabim në mes të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI). Herën e parë, PAI kishte marrë 101 vota, të cilat pas rinumërimit u kuptua se kishin qenë të PDK-së.
Dallime me të vogla në rezultat pati edhe në Qendrën e Votimit me Nr. 0502A-01R (Brod), ku kandidati për deputet nga radhët e Partisë së Bashkuar Gorane (Jedinstvena Goranska Partija – JGP), kandidati Izmir Sherifi, në numërim kishte marrë 24 vota por pas rinumërimit doli se ky kandidat në të vërtetë kishte marrë vetëm 4 vota. Ngjashëm edhe kandidatja tjetër për deputete nga radhët e së njëjtës parti, Almira Bajrami, herën e parë u tha se mori 25 vota por në rinumërim u kuptua se ajo kishte marrë vetëm 5 vota.
Shumë dallime në vota ndërmjet kandidatëve u vërejtën në Qendrën e Votimit me Nr. 0507A/03R (Bresanë), ku PDK-ja në rinumërim, në 22 raste, pati ndërrim të rezultatit në mes të kandidatëve, AAK në 8 raste, NISMA/AKR/PD në 7 raste, VV në 13 raste si dhe LDK në 11 raste.
Në vendvotimin Nr. 0509A/01D (Kosavë), të kryesuar nga Asri Qusaj dhe anëtarët Mervan Trupaj, Zijadin Meleqi, Muela Guri dhe Arjan Sofiu, pas rinumërimit të votave, u konstatuan parregullsi të mëdha. Aty, ndonëse koalicioni AAK-PSD kishte marrë 10 vota, kandidati për kryeministër i kësaj partie kishte marrë 106 vota. Rinumërimi ia hoçi Haradinajt plot 101 vota, duke ia lënë vetëm pesë. Parregullsi janë konstatuar edhe gjatë numërimit të votave të kandidatëve të tjerë, ku vetëm kandidateve të PDK-së, Abelard Tahiri, Valon Murati, Gentiana Beqaj, Kurtan Kajtazi, Faik Geci dhe Gazmend Bytyqi, i ishin shtuar nga një votë më shumë sesa realisht kishin. E në këtë vendvotim, një votë më pak i ishte shënuar Kadri Veselit pasi, pas rinumërimit rezultoi të kishte 92 vota, një më shumë se në numërimin e 6 tetorit. Parregullsi kishte edhe te kandidatët për deputetë të partive të tjera në këtë vendvotim. Fatmir Limaj, në numërim kishte marrë 11 vota ndërsa pas rinumërimit mori 13 vota. Tri vota rinumërimi ia hoqi Begjet Pacollit e nga një Albana Bytyqit dhe Vesel Krasniqit.
Rinumërimi i hoqi vota edhe Albin Kurtit. Ai në fillim kishte marrë 52 vota ndërsa, pas rinumërimit, mori 51 vota. Nga një votë iu hoq edhe Glauk Konjufcës, Fatmire Kollqakut, Haki Abazit, Rexhep Selimit, Saranda Bugojevcit, Ali Lajqit dhe Mefail Bajqinovcit. Nga Vetëvendosja, në këtë vendvotim, rinumërimi i solli një votë më shumë Albulena Haxhiut, Labinotë Murtezit dhe Mergim Mestanit. Ndryshime të shumta në vota u panë edhe te kandidatët e LDK-së, ku Vjosa Osmanit rinumërimi ia hoqi katër vota, ndërsa nga një votë iu hoqën Anton Qunit, Kujtim Shalës, Arben Gashit, Armend Zemajt dhe Driton Selmanajt. Shtatë vota më pak, pas rinumërimit, mori edhe kandidati për deputet nga LDK-ja, Bahtjar Berisha.
Gabime në numërim kishte edhe në vendvotimin Nr. 0525A/01D (Kërstec), ku aty komisionerët e kryesuar nga Mejdin Hamza i kishin vënë tri vota më pak Partisë së Bashkuar të Goranëve (JGP), duke ia shënuar 52 vota, ndërsa pas rinumërimit, kjo parti mori 55 vota. Nga numërimi i këtyre komisionerëve, herën e parë kishte përfituar koalicioni Vakat, të cilët kishin përfituar një votë më shumë se sa pas rinumërimit. Gabime në vota, pas rinumërimit, u konstatuan edhe tek kandidatët për deputetë. Kandidati për deputet, Xhavit Aliti, ishte dëmtuar në këtë vendvotim, e që pas rinumërimit i doli një votë, ndërsa në numërimin e 6 tetorit i njëjti nuk kishte marrë asnjë votë. Fatin e njëjtë me Alitin e kishte edhe kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, Zafir Berisha, i cili pas rinumërimit mori një votë, nga zero sa kishte në fillim. E më së shumti në këtë vendvotim, herën e parë ishte dëmtuar kandidati, Uzair Hamza nga koalicioni Vakat, i cili pas rinumërimit mori 52 vota, 7 më shumë se herën e parë. Edhe ish-deputetja Duda Bale përfitoi nga rinumërimi. Ajo mori dy vota më shumë pas rinumërimit, nga 30 sa kishte më herët. Një fakt interesant në këtë vendvotim është vota për kandidatin Gëzim Kelmendi, i cili mori një votë ndonëse partia e tij nuk kishte vota.
Duda Bale u dëmtua edhe në vendvotimin Nr. 0516A/01R (Radeshë), të kryesuar nga Besim Halimi, ku rinumërimi i solli 23 vota, një më shumë se sa në numërimin e gjashtë tetorit. Dy vota në këtë vendvotim iu hoqën Armend Jaminit dhe një Brahim Sabanit. Nga një votë iu shtua Hajrudin Hoxhës, Fikret Sezairit dhe Shemsa Ajradinit.
Gabime në votat e deputeteve u vërejtjen edhe në vendvotimin Nr. 0519A/01D (Xërxe), që kryesohej nga Elvis Beqiri. Aty, Mërgim Lushtakut i mungoi një votë, pasi pas rinumërimit i dolën 5 vota nga 4 sa kishte në fillim. E një votë më shumë i ishte shënuar edhe kandidatit të PDK-së nga Dragashi, Ilir Kurteshit, i cili nga 32 vota sa kishte, pas rinumërimit iu shënuan 31 vota.
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, duket se është dëmtuar për një votë në këtë vendvotim, pasi pas rinumërimit mori 37 vota, një më shumë se sa kishte në fillim. Rinumërimi i votave në këtë vendvotim ia mori një votë edhe Avdullah Hotit, ndërsa një ia shtoje Ilir Feratit. Ndërkaq, Kujtim Prekazit nga LDK-ja, pas rinumërimit iu hoqën katër vota, nga tetë sa i ishin shënuar në këtë vendvotim, raporton – Kallxo.com