Brezi i ri dhe e ardhmja e tyre në histori!

Brezi i ri dhe e ardhmja e tyre në histori!

Nga: Zana TAKO


• Mendojmë të fuqizojmë ekonominë, mendojmë të shtojmë të ardhurat dhe fitimet. E ç’nuk mendojmë prej vetvetes. Mendojmë që politika e sotme të ndërtojë urat e bashkëpunimit për të sjellë rezultate të frytshme në bashkëjetesë.
Mendojmë të zhvillohemi brenda sistemit tonë lëvizës që operon në të gjitha fushat e jetës, duke hapur botëkuptimin tonë drejt një bote të re në zhvillim, ku fjala e shkencës dhe gjuha e dijes të shpalosin të gjithë potencialin e tyre në kreativitet. Por, nuk mendojmë në çdo ditë të jetës sonë për të ardhmen e fëmijëve tanë! Cila është trashëgimia që po u lemë pas? Cila është e ardhmja e tyre, brenda këtij zhvillimi dhe progresi? Cili është botëkuptimi i tyre për jetën në vazhdim? Si po e armatosim shpirtin e tyre në betejën e fuqishme të jetës, ku dija dhe gjuha e saj nuk po flet me gjuhën e dashurisë por, po flet me gjuhën e shkencës dhe të teknologjisë? Kjo dije po e manipulon shpirtin njerëzor, duke e shpënë drejt botës së saj dhe zhvillimit të qytetëruar modern. Shkalla e dijes nuk përcaktohet nga ne, krijesa njerëzore, sepse dija në krijim është dhuratë, fryt i dashurisë. Zhvillimi dhe potenciali i tij përfshijnë gjithkënd në krijim, por sa e mbajmë mbi shpinën tonë peshën e këtij zhvillimi?
Vetë qenia jonë, si krijesa në inteligjencë, kupton domethënien e këtij zhvillimi duke marrë pjesë masivisht në të. Por, kur jemi brenda vorbullës së tij, ndjejmë pasiguri, që do të thotë frikë për të nesërmen, e cila nuk të ofron dashurinë e mjaftueshme që mbush ditët e jetës sonë.
Mungesa e dashurisë rrit ankthin, frikën, demoralizon shpirtin, duke mos e ndjerë sigurinë e mjaftueshme dhe të nevojshme për të cilën ka shumë nevojë çdo shpirt të shijojë lirinë e jetës në krijim. Kjo liri është dhuratë prej të Tejetlartit dhe nuk mund të kufizohet brenda kufijve të arsyes njerëzore. Ky fakt na ve përpara ballafaqimit me njëri-tjetrin në krijim, dhe natyrshëm lind pyetja. Përse nuk e shijojmë lirinë shpirtërore në të gjithë dimensionin e saj? Përse kemi frikë nga njëri-tjetri, kur nuk varemi nga njëri-tjetri, por nga vetë Krijuesi që na e ka dhuruar të pastër lirinë në dashuri?
Sepse, vetë gjuha e zhvillimit të etikës moderne, duket e qartë por flet me paqartësi, duke mbjellë pasigurinë brenda shpirtit dhe frikë për të nesërmen. Kjo gjuhë po ushqen shpirtin e brezit të ri, i cili po rritet nën frikën dhe pasigurinë për të ardhmen, për të nesërmen, duke u ushqyer nëpërmjet formave të teknologjisë, e cila ka krijuar varësinë e saj tek çdo shpirt që e ndjen pazgjidhshmërisht veten të varur prej saj. Gjuha e teknologjisë nuk e njeh dhe nuk e pranon gjuhën e dashurisë. Kjo e vërtetë nuk po dallohet dhe nuk po shihet nga krijesat. Fara që mbjell padituria është shterpë dhe pa fryte. Frytet shijojnë kur mbillen në tokë të mirë. Toka e thatë mbetet shterpë. Kështu edhe kjo kohë e zhvillimit modern, po mbjell shterpësinë e saj brenda shifrave, brenda minutave që humbin e nuk kthehen pas, brenda absurdit njerëzor që nuk e kupton se si po lidhet çdo ditë e më shumë nga vargoj dhe zinxhirë skllavërie.
Duke mos e njohur gjuhën e dashurisë që flet në prani të krijesave në mes njëri-tjetrit në përballje, nuk do të mundim të shohim në sy të vërtetën që flet me gjuhën e qartësisë, se e nesërmja do të jetë dita e provimit për gjithkënd që merr frymë dhe jetë në krijim.
Kjo e nesërme troket çdo ditë, duke na kujtuar se jemi përgjegjës për çdo vepër që lemë pas, për çdo fjalë që kemi shqiptuar, për çdo mendim që kemi dhuruar, për çdo veprim që kemi përcaktuar. Gjuhët e krijesave ndryshojnë sipas vendlindjeve, por gjuha e dashurisë nuk ndryshon për asnjë vend në botë që lind e rrit krijesa në lulëzim.
Të mendosh për të ardhmen dhe për të nesërmen, do të thotë të përgatitesh në përballje me të vërtetat e krijimit, të cilat nuk e braktisin krijesën, por e mbrojnë nëpërmjet dijes dhe ligjeve të dashurisë. Për sa kohë e mohojmë këtë të vërtetë, do të vazhdojmë të përgatisim absurdin njerëzor brenda shpirtrave tanë, duke u ushqyer me ushqimin që ofron teknologjia dhe defektet e saj.
Të çalët nuk vrapojnë e të verbrit nuk shikojnë. Të shurdhët nuk dëgjojnë e të marrët nuk dashurojnë, por të mençurit drejt dijes vrapojnë, e me sytë e shpirtit dritën e qartësisë vështrojnë.
Bota është e të diturve që dinë të dashurojnë të vërtetën e krijimit dhe bukurinë e tij, por të marrët e kohërave moderne dinë të bëjnë llogarinë, të shumëzojnë e të pjesëtojnë me gjuhë teknologjie, pa dhuratë dashurie.

Kush do ta fitojë betejën e jetës në krijim? Teknologjia apo dashuria?

Kjo dilemë troket e zë vend brenda çdo shpirti që jeton, duke marrë pjesë në këtë botë ku gatuhet me dorën e dashurisë, dhe ku ushqimi i saj del për të gjithë ne krijesa, që sot nuk shohim, por nesër do të shohim të vërtetën që flet e oshëtin me gjuhën e qartësisë së saj, ku dallohet zëri i dashurisë që nuk hesht, por kumbon i pastër hapësirave të kohërave të pafundme.

Leave a Reply