Bexhet Xheladini, për pakë nuk e qëllon rezultatin për Nexhmidin Sejdillarin!

Bexhet Xheladini, për pakë nuk e qëllon rezultatin për Nexhmidin Sejdillarin!

Dragash, 13 tetor 2025 – Në njërin nga debatet televizive, kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, duke e injoruar kandidatin për kryetar nga radhët e komunitetit goran, Nexhmidin Sejdillar, i cili në secilën fjalë të tij përdorte shprehjen “Kryetari në ikje”, tha se nuk duhet humbur kohë me këtë person, sepse “ai merr vetëm 200 vota” dhe nuk e ka mision zhvillimin e kësaj komune por vetëm përçarjen midis komuniteteve.
Sipas rezultateve preliminare që ka publikuar KQZ-ja, anëtari i gjertanishëm i Kuvendit të Komunës së Dragashit, Nexhmidin Sejdillar, ka marrë vetëm 210 vota në garën për legjislativin e kësaj komune, duke rrezikuar kështu mospërfaqësimin në këtë organ të Komunës së Dragashit.
Ndonëse ishte shumë aktiv gjatë katër viteve të kaluara, si dhe mbështetjes që gëzonte në rrjetet sociale prej komunitetit goran, Sejdillar rrezikon të mbetet jashtë Kuvendit në mandatin e ri.
“Me krenari e shfrytëzova të drejtën time për të votuar për Gorën, për identitetin tonë dhe për të ardhmen që po e ndërtojmë së bashku. I ftoj të gjithë që ta bëjnë të njëjtën gjë sepse forca jonë qëndron në unitet dhe përgjegjësi të përbashkët”, ka shkruar Sejdillar në profilin e tij, duke e ilustruar me një foto duke votuar.
Gjithsesi, ai ende mbetet me shpresë se votat e diasporës, si dhe votat tjera që ende nuk janë numëruar, mund t’ia shtojnë mundësinë për tu futur në Kuvend edhe në mandatin e ri, por, sipas parashikimeve, këto vota nuk mund ta ndryshojnë dukshëm këtë rezultat.