Arrestohet i dyshuari për vrasjen e Enver Zymberit!

carabinieri policia eulexMitrovicë, 11 prill 2014 – Është arrestuar një i dyshuar për vrasjen e zyrtarit policor të Kosovës, Enver Zymberi, më 26 korrik 2011. Lajmin e ka konfirmuar EULEX-i, duke thënë se arrestimi është kryer nga Task Forca në Mitrovicë, e ndihmuar nga Policia e EULEX-it. “Sot, Task Forca Mitrovicë (TFM), e ndihmuar nga Policia e EULEX-it, zbatoi një urdhër-arrest ndërkombëtar, të lëshuar nga INTERPOL-i, për një person 32-vjeçar nga fshati Zupç, në veriun e Kosovës. I arrestuari është dërguar në bazën e EULEX-it në Mitrovicë, për tu marrë hollësisht në pyetje. Urdhër-arresti është kërkuar nga UNMIK-u, në vitin 2011”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media që ka shpërndarë EULEX-i, ku specifikohet se arrestimi është kryer, si pjesë e një hetimi për vrasje, i cili është duke vazhduar, ku përfshihen veprat e dyshuara penale të vrasjes së rëndë, tentim vrasjes së rëndë, pronësisë, kontrollit, posedimit të paautorizuar të armëve dhe pengimit të personave zyrtarë, në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Akuzat kanë të bëjnë me vrasjen e zyrtarit policor të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, e cila ka ndodhur më 26 korrik 2011, si dhe me sulmin në kolonën e automjeteve të Policisë së Kosovës, në të cilën ishte duke udhëtuar Zymberi, në kohën kur u vra”, thuhet në këtë komunikatë.

KËRKO FJALËT

Leave a Reply