Dragash, 12 tetor 2020 – Në bashkëpunim me OSBE-në, Zyrtarja për Barazi Gjinore në Dragash, Lindita Piraj, sot organizoi shënimin e Ditës së Vajzave, me një konferencë, ku para shumë vajzave të pranishme u shtjelluan të mirat dhe problematikat që ndërlidhen me vajzat.
Në sallën e Kuvendit të Dragashit, vajzat nga kjo anë mësuan nga ligjëruesit se si trajtoheshin vajzat dikur dhe si trajtohen sot. “Dikur, vajzat konsideroheshin si të pandershme, vetëm pse vazhdonin shkollimin e mesëm dhe atë universitar. Ndërsa sot, fatmirësisht, vajzat që vazhdojnë shkollimin shikohen me sy pozitiv dhe respektohen më shumë. Prandaj ky është ndryshimi më i mirë që ka ndodhur në shoqërinë tonë”, iu tha vajzave të pranishme në sallë, Lindita Piraj.
Nga ana tjetër, zyrtari vendor i Programit në Zyrën Rajonale të OSBE-së në Prizren, Islam Salihi, tha për redaksinë tonë se qëllimi i aktivitetit të sotëm ishte ngritja e vetëdijes tek vajzat për t’i kuptuar të drejtat e tyre dhe domethënien e barazisë gjinore. “Duke e shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vajzës, 11 Tetorin, ne shënojmë edhe 20 vjetorin e Rezolutës 1325 për gratë, paqen dhe sigurinë e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, si dhe vendimin e Kuvendit të Kosovës të 25 shtatorit 2020 për përfshirjen e Rezolutës së Stambollit të Këshillit të Evropës në Kushtetutën e Kosovës (Konventa për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje), tha Salihi.
Në fund të konferencës, në sheshin qendror të Dragashit vajzat pjesëmarrëse shpalosen një baner dhe në duar mbajtën transparente me porosi të qarta për publikun.
Në Dragash shënohet Dita Ndërkombëtare e Vajzave (Video)
POSTIMI I RADHËSKadri Veseli qëndroi në Dragash – Gostitet n’bjeshkë!