Dragash, 09 shkurt 2018 – Pas raportimit tonë të djeshëm, rreth gropave të shumta që janë hapur në rrugët rajonale të Dragashit, firma kontraktuese për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve “Drini Company”, sot ka dalë në terren, për të intervenuar me urgjencë. Punëtorët e kësaj kompanie i kanë mbuluar këto gropa me asfalt, në mënyrë që mos të shkaktojnë probleme për drejtuesit e automjeteve.
Njëri nga punëtorët e kësaj kompanie tha për redaksinë tonë se ky intervenim nënkupton sanimin emergjent të rrugëve që janë dëmtuar. “Ky intervenim është emergjent dhe në plan kemi mbulimin e gropave për të cilat keni raportuar ju. Në pranverë do të jetë tjetër muhabet. Do të ketë intervenim me themel”, tha shkurt për redaksinë tonë njëri nga punëtorët e kompanisë.