Loja e strucit me pagat e shërbyesve publikë dhe të funksionarëve!

Loja e strucit me pagat e shërbyesve publikë dhe të funksionarëve!

Shkruan: Muhamet MUSTAFA


• Sistemi i pagave që servisohen nga buxheti i Kosovës, do reformë të thellë. Apetitet për rritje të fondit të pagave, përtej mundësive buxhetore dhe nivelit të zhvillimit ekonomik, rrezikojnë stabilitetin fiskal dhe ekonomik.


• Përfituesit e pagave nga sektori publik, duhet ta kuptojnë se stabiliteti buxhetor dhe ofrimi i shërbimeve të mira publike, nuk është i mundur për një afat të gjatë, nëse ne kemi rreth 60% të nivelit mesatar të zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, por një mesatare më të lartë të pagave të sektorit publik. Nëse do të mund të arsyetonim një efekt nxitës të pagës e edhe një korrektiv të kohezionit të domosdoshëm social, pagat në Kosovë nuk do të duhej të kalonin 80% të mesatares së rajonit e kurrsesi mesataren e rajonit.
Të punësuarit në sektorin publik kanë një privilegj, atë të sigurisë më të madhe të vendit të punës, në krahasim me ata në sektorin privat. Por, kurrsesi nuk duhet të pretendojnë për paga më të larta se sa që e lejon niveli i zhvillimit ekonomik dhe buxheti i konsoliduar i Kosovës, i cili, krahas pagave për të punësuarit në ketë sektor, duhet të sigurojë edhe zhvillimin e infrastrukturës publike, arsimit, shëndetësisë dhe përkujdesjes sociale.
Sistemi i pagave në këtë sektor, pra sektori publik i servisuar nga buxheti, ka brenda për brenda shumë deformitete që duhet të tejkalohen brenda një programi dhe strategjie afatmesme. Do të duhej që, për secilën kategori, të merrej si masë mesatarja e rajonit dhe, brenda një periudhe afatmesme, të arrihej ky harmonizim pa goditje të menjëhershme që mund të jenë problematike në rastet kur duhet zvogëluar paga. Përkundër goditjeve ndaj menaxhimit të qëndrueshëm të Buxhetit të Kosovës, kryesisht nga politikat ad-hoc të rritjes së pagave të ndërlidhura me ciklin elektoral (në këmbim favorizimi me vota), deri më tani ka qenë një sukses sepse është mbajtur stabiliteti buxhetor. Por, kjo sa po vjen e po vihet në sprovë. Përfitimet nga pakoja e transfereve sociale, pensioneve dhe përfituesve të shumtë të skemave sociale (rasti i listave për veteranët p.sh.) por tash edhe rritja e pagave tek sektori publik, ka marrë përmasat e një euforie për grabitje nga buxheti. Pa marrë parasysh se ka disa kërkesa që janë të drejta, si ajo e mjekëve specialistë (me pagë 600 euro) që, nëse nuk adresohen do ta rrezikojnë seriozisht edhe më shumë cilësinë e shërbimeve në QKUK, ngarendja për pagat po merr tipare te një epidemie. Shkollat janë mbyllë, tash e 10 ditë. Por, po shohim kërkesa një pas një në Qeveri, në Kuvend dhe të shumë sindikatave për rritje të pagës. Po rrezikohet ajo që është vënë si rregull që, rritja e pagave ta përcjellë përqindjen e rritjes ekonomike dhe të produktivitetit. Siç u tha, nuk mund të jetë e qëndrueshme që Kosova me 60% të mesatares së nivelit të zhvillimit të rajonit (GDP për një banorë), por pagat e sektorit publik dhe liderëve dhe shumë kategorive tjera janë dukshëm mbi mesataren e rajonit. Nëse sektori publik vazhdon kështu të gërryej nga pasuria kombëtare, edhe kjo e rrezikon shtet-ndërtimin dhe stabilitetin e vendit. Është koha që këtu gjithçka të bëhet transparente dhe t’i nënshtrohet një debati të angazhuar dhe presioni publik. Buxheti dhe sektori publik nuk është pronë e partive në pushtet dhe e liderëve të tyre, e as e të punësuarve që marrin paga nga ky buxhet. Prandaj, duhet të fillohet me ketë proces ristrukturimi dhe përshtatje graduale të pagave, pse jo nga liderët e institucioneve, ministrat, deputetët që të fillojnë nga pagat e tyre në nivel mesatar me rajonin dhe, pastaj të bëjnë harmonizimet për punë të njëjtë (kategori), paga përafërsisht e njëjtë në secilin institucion.
Loja e strucit me pagat e shërbyesve publikë dhe të funksionarëve të zgjedhur, duhet të përfundojë.