Dragash, 28 tetor 2018 – Komuna e Dragashit po konsiderohet se ka dështuar për të katërtën herë që t’i japë udhë tenderit për ujësjellësin kryesor që do t’i furnizonte 14 fshatra të kësaj ane. Kjo, sepse katër herë radhazi Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka kthyer tenderin në Rivlerësim.
Të kontaktuar për një sqarim, në Zyrën e prokurimit të Dragashit thanë për redaksisë tonë se problemi po zvarritet nga vetë OSHP-ja, e cila çdo tender po e anulon dhe po e kthen në rivlerësim. “Ne jemi duke e mbrojtur buxhetin, ashtu siç edhe e parasheh kriteri kryesor, që fitues të shpallet operatori që ofron çmimin më të lirë. Ndërkohë, edhe pse ankuesi në OSHP është për rreth 500 mijë euro më i shtrenjtë, po ia del që ta bind këtë institucion për ta anuluar tenderin, duke na e rikthyer për rishqyrtim. Prandaj, konsiderojmë se është OSHP-ja ajo që po na e zvarrit këtë projekt”, tha për redaksinë tonë menaxheri i Zyrës së Prokurimit në Dragash, Nuro Ismaili, duke shtuar se, eksperti i OSHP-së kishte konstatuar se Komuna nuk ka faj dhe i njëjti është larguar nga kjo pozitë.
Megjithatë, Komuna e Dragashit është udhëzuar nga OSHP-ja që brenda pesë ditësh ta njoftojë OSHP-në dhe operatorët ekonomik, lidhur me zbatimin e vendimit të OSHP-së për këtë projekt.
Nuro Ismaili thotë se e ka përfillur këtë udhëzim dhe është në pritje të konfirmimit nga OSHP-ja për veprimet e mëtutjeshme por që ende nuk është njoftuar. “Natyrisht se ne i kemi përfillur udhëzimet dhe jemi në pritje të na vijë konfirmimi nga OSHP-ja”, pohon Ismaili.
Nga ana tjetër, në njoftimin e OSHP-së thuhet se mosrespektimi i kësaj urdhërese, brenda periudhës prej pesë ditësh, do ta detyrojë panelin shqyrtues që të kërkojë nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) anulimin e licencës për menaxherin e prokurimit të Komunës së Dragashit. “Mosrespektimi i kësaj urdhërese, do ta detyrojë panelin shqyrtues që të veprojë konform nenit 131 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) dhe njëkohësisht të kërkoj nga KRPP-ja, anulimin e licencës për menaxherin e prokurimit të AK-së në Komunën e Dragashit, sipas nenit 25 paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së”, thuhet në njoftimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
I pyetur nga redaksia jonë se ku është problemi qe po zvarritet ky tender, kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, thotë se nuk po ka mundësi ligjore që ta mbyll këtë çështje. “Nuk po kemi mundësi ligjore, ndryshe do ta anulonim krejtësisht këtë tender dhe do ta shpallnim nga e para. Neve nuk po na mundësohet kjo por vetëm po na kërkohet që ta bëjmë rivlerësimin me të njëjtit operatorë ekonomikë që kanë ofertuar. Unë, prej fillimit kam pas dëshirë me anuluar krejt. Mirëpo, nuk e kam këtë mundësi, sepse, gjithnjë po kërkohet me u bërë rivlerësimi dhe jo anulimi. Po t’i kishim rekomandimet për me anuluar, me kënaqësi e kisha bërë këtë dhe kishim dalë me tender të ri”, ka deklaruar Shabani.
Ndërkohë që vazhdojnë këto procedura, pjesa dërrmuese e banorëve të trevës së Opojës janë në pritje të ujit, i cili tash e sa vjet po iu premtohet dhe ende nuk po e shijojnë. Madje, edhe në zgjedhjet e fundit lokale, ky projekt ishte temë boshte e premtimeve nga kandidatët për kryetar komune. Ai i LDK-së, Selim Kryeziu, premtonte se kjo çështje do të përmbyllej që në vitet e para të mandatit të parë, ndërkohë që edhe kandidati i PDK-së, Shaban Shabani, i cili i fitoi këto zgjedhje dhe tani është në krye të Komunës, premtonte se ky projekt do të përfundojë shumë shpejt. Por, qytetarët aktualisht thonë se projekti në fjalë po pengohet nga një dreq i madh por që nuk po i bien në fije.