Prishtinë, 24 tetor 2018 – Konfirmohet edhe zyrtarisht se UBT i ka përfunduar të gjitha përgatitjet për organizmin e Konferencës Ndërkombëtare, më të madhe për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, që do të fillojë punimet këtë të premte, më 26 tetor, me fillim nga ora 16:00, në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan. Ndërsa, sesionet e konferencës do të nisin të shtunën, prej orës 09:00, në kampusin në Lipjan.
Edicioni i shtatë i kësaj konference, për herë të parë do të mbledh sivjet në Kosovë afër 700 hulumtues shkencorë, prej të cilëve 233 janë ndërkombëtarë, e në tërësi do të prezantohen mbi 400 punime nga 15 fusha të ndryshme studimi. Kështu, pritet që numri i tërësishëm i pjesëmarrësve të arrijë në 1200 persona. Pjesëmarrësit do të jenë nga 24 vende të ndryshme të botës dhe nga katër kontinente, përfshirë edhe hulumtues shkencorë nga vende që nuk kanë qenë më parë pjesë e kësaj konference apo edhe e ndonjë konference tjetër shkencore në Kosovë.
Drejtuesit e UBT-së thonë se qëllimi kryesor i kësaj ngjarje është që të bëhet e mundur shkëmbimi i njohurive dhe shkathtësive në mes të hulumtuesve, profesorëve, studentëve të doktoraturës dhe ekspertëve të ndryshëm nga industria. Për këtë arsye, konferenca do ta shtrijë aktivitetin në 15 fusha të ndryshme, që do të mbahen njëkohësisht, përfshirë:
– Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi;
– Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri;
– Mekatronikë, Sisteme Inxhinierike dhe Robotikë
– Inxhinieri e Energjisë Efiçiente
– Sisteme të Informacionit dhe Siguri;
– Arkitekturë – Planifikim Hapësinor;
– Inxhinieri e Ndërtimit, Infrastrukturë dhe Mjedis;
– Juridik;
– Shkenca Politike;
– Gazetari, Media dhe Komunikim;
– Shkenca të Ushqimit dhe Teknologji;
– Shkenca Mjekësore, Stomatologjike dhe Farmaceutike
– Dizajn i Integruar;
– Psikologji;
– Edukim dhe zhvillim.
UBT, përmes organizimit të konferencave shkencore, po jep kontribut të vazhdueshëm për zhvillimin e shkencës dhe të hulumtimit, duke iu mundësuar profesorëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme të prezantojnë rezultatet e punës së tyre shkencore, me ndikim në proceset akademike, por edhe me interes për publikun, në aspektin e ndjekjes së trendëve të fundit të zhvillimit në të gjitha fushat.
Për më shumë detaje, klikoni në: Conferences.ubt-uni.net