Prizren, 16 tetor 2018 – Departamenti i Demokratizimit pranë Misioni të OSBE-së në Kosovë, sot ka organizuar në Prizren seminarin “Ngritja e vetëdijes për siguri të gazetarëve”, ku pjesë e këtij seminari ishin përfaqësues nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përfaqësues nga institucionet e sigurisë, si Policia, Prokuroria dhe Gjyqësori. Gjithashtu, prezentë ishin edhe përfaqësues nga mediat e regjionit të Prizrenit.
Ardian Nikolla nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se ky seminar është formë e mirë për shkëmbimin e praktikave më të mira për sigurinë gjatë raportimit dhe trajtimin e rasteve të kërcënimeve dhe frikësimeve ndaj gazetarëve. “Shqetësues është fakti se trendi rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve nuk po vjen duke rënë, madje edhe po rritet. Kjo ndikon që gazetarët të mos mund që lirshëm ta ushtrojnë punën e tyre, në shërbim të misionit që ka media”, tha Nikolla.
Gazetarët, nga ana tjetër, kërkuan më shumë azhuritet nga gjyqësori, në mënyrë që të shtohet edhe më shumë besimi ndaj këtij institucioni, e që drejtpërdrejtë do të ndikonte në sigurinë më të madhe për gazetarët gjatë raportimit të drejtë për çështje që konsiderohen me rrezikshmëri. Korrespodenti i Kohës Ditore nga Prizreni, Fisnik Minci, tha se deklarata e bërë kohë më parë nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, për joefikasitetin në zgjidhjen e shumë lëndëve nga organi i drejtësisë në Prizren, bënë që edhe gazetarët të paragjykojnë se nuk ka ambient të sigurt për të kryer punën si duhet. Ndërkaq, drejtori i Radio Sharrit, Beqir Beqaj, kërkoi avansimin e statusit të gazetarëve, ku sulmi ndaj tyre do të konsiderohej si sulm ndaj përsonit zyrtar. Vetëm kështu, tha Beqaj, sulmuesit do të mendonin më shumë, para se ta kërcënonin apo sulmonin gazetarin.
Ky seminar ishte pjesë e projektit të OSBE-së që ka për qëllim ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e sigurisë së gazetarëve, duke ua mundësuar atyre që ta kryejnë punën e tyre pa frikë se do të ballafaqohen me kërcënime apo sulme fizike.
Në Prizren u diskutua për sigurinë e gazetarëve
POSTIMI PARAPRAKTelekomi i Kosovës, marrëveshje me Komunën e Dragashit
POSTIMI I RADHËSInstituti i Mediave i Kosovës trajnon zyrtarët për transparencë