Dragash, 28 mars 2017 – Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Dragash, ka ndërmarrë një aktivitet social, përmes së cilit ka bërë evidentimin e nxënësve, të cilët po e anashkalojnë gjimnazin e Dragashit, për t’u shkolluar në Prizren.
Kryetari i FR LDK-së, Vetim Ramadani, i tha redaksisë sonë se qëllimi i këtij identifikimi ishte shqetësimi i faktit se shumë nxënës, për një apo disa arsye, e kanë anashkaluar gjimnazin e Dragashit, duke vijuar shkollimin e mesëm në gjimnazet dhe shkollat profesionale të Prizrenit. “Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është nxjerrja e statistikave të numrit të nxënësve, nga të gjitha fshatrat shqiptare të komunës së Dragashit, të cilët po i vijojnë mësimet në Prizren, si dhe identifikimi i arsyeve, se përse familjet i dërgojnë fëmijët e tyre në distancë më të largët dhe, njëkohësisht, edhe me kosto më të lartë. Nga ky evidentim, ka rezultuar se 253 nxënës po e vijojnë mësimet në Prizren. Këto statistika të shoqëruara me detaje për secilin fshat, ia kemi dorëzuar Komisionit të LDK-së për Arsim në Dragash, me qëllim analizimin e tyre dhe më pas hartimin e një plani konkret për parandalimin e këtij fenomeni”, tha Ramadani.
I kontaktuar për këtë qëllim, kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, thotë se kjo dukuri nuk është fenomen dhe se e njëjta gjithmonë ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë. “Ne kemi luftuar për ta fituar lirinë dhe kjo dukuri që po e quani ju është pjesë e lirisë dhe e përzgjedhjes së shkollës, se ku dëshiron t’i ndjek mësimet. Nëse e keni fjalën për sigurinë, ju them me përgjegjësi të plotë se gjimnazi jonë është më i sigurti në Kosovë. Ajo që na intereson ne, është suksesi i nxënësve, për të cilin çdo ditë e më tepër po mundohemi t’iu krijojmë kushte që të mësojnë më shumë”, tha Jenuzi.
LDK e shqetësuar për nxënësit që “ikin” nga Dragashi!
POSTIMI PARAPRAKBean Haxhiasan: “Mos i dëmtoni shenjat”
POSTIMI I RADHËSKryetari i Dragashit nënshkruan marrëveshje njëmilionëshe!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.