Dr. Azem Hajdari ofronë dije të reja në fushën e drejtësisë!

Dr. Azem Hajdari ofronë dije të reja në fushën e drejtësisë!

Nga: Leutrim Tërshnjaku & Shkëlqim Osmanaj


• Për të plotësuar vakuumin ekzistues të literaturës në gjuhën shqipe, në lëmin e drejtësisë, kohë më parë prof. dr. Azem Hajdari ka publikuar “E DREJTA E PROCEDURËS PENALE” dhe “NDIHMA JURIDIKE DHE EKSTRADIMI”, dy libra këto universitar me shumë vlera studimore, që janë një ndihmesë e madhe për studiuesit e drejtësisë. Prof. Dr. Azem Hajdari është doktor i shkencave juridike penale, profesor e mësimdhënës në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ligjëron lëndët: E drejta e procedurës penale; Shkathtësitë e praktikës gjyqësore; Psikologjia gjyqësore; Ndihma juridike dhe ekstradimi dhe Të provuarit në procedurë penale. Ka një eksperiencë të gjatë në institucione të arsimit të lartë: në Universitetin “Kadri Zeka” Gjilan Universitetin Shtetëror  të Tetovës, Kolegjin Universitar “Fama” Prishtinë, Kolegjin Universitar “Iliria” – Prishtinë, Kolegjin Universitar “Gjilani” Gjilan. Prof. Dr. Azem Hajdari ka dhe eksperienca të tjera në arsim, ngase ka qenë anëtar në këshilla dhe borde arsimore, ligjërues në Akademinë Diplomatike të Shqipërisë, Udhëheqës dhe pjesëmarrës  në përgatitjen e disa projektligjeve për Qeverinë e Kosovës; kryetar i Komisionit Disiplinor në Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” etj. Ka të botuara 20 publikime dhe libra, dhe mbi 36 punime shkencore. Ka qenë pjesëmarrës  në konferenca shkencore, sikurse ka dhënë dhjetëra opinione dhe mendime profesionale, e disa recensione librash.

“E DREJTA E PROCEDURËS PENALE”

Është një nga librat e shkëlqyer të prof. dr. Azem Hajdarit që ka ngjallur shumë interes nga studentët dhe studiuesit e drejtësisë. Përmbajtja e librit përbëhen nga: Procedurat Penale, Stadet e Procedurës Penale, Pozita e Policisë në Procedurën Paraprake, Hetimet, Aktakuza dhe shqyrtimi i saj, Shqyrtimi gjyqësorë dhe aktgjykimi, Procedura për mjetet juridike, Procedurat Alternative- Procedura për të mitur, etj. Në parathënien e librit prof. dr. Azem Hajdari ka thënë se prej kohësh  ishte ndierë nevoja e botimit të një libri të posaçëm për pjesën e veçantë të së drejtës së procedurës penale. Kjo nevojë ishte determinuar nga fakti se tashmë që disa vite në kuadër të fakulteteve juridike të Kosovës, pjesa e posaçme e të drejtës së procedurës penale mësohet si një provim i ndarë nga pjesa e përgjithshme e lëndës me të njëjtin emërtim. Në këtë aspekt ekzistonte një kërkesë e pashprehur publikisht e opinionit profesional, që tematikat që përfshihen në kuadër të kësaj pjese të së drejtës së procedurës penale të marrin dimension më të thuktë trajtimi, në kuptimin që studentëve t’u lehtësohet puna për përgatitje të provimit nga kjo lëndë, si dhe që atyre dhe profesionistëve të fushës në këtë aspekt t’u zgjerohen horizontet për të marrë dije të reja. Libri e drejta e procedurës penale, pjesa e posaçme është përgatitur konform zgjidhjeve që adreson Kodi i Procedurës Penale. Me rastin e hartimit të këtij libri posaçërisht prof. dr. Azem Hajdari është bazuar në ndryshmet dhe plotësimet që ka pësuar ky Kod, në mënyrë të veçantë në ndryshimet dhe plotësimet e fundit të tij, që kanë hyrë në fuqi më 1 janar 2013. Gjatë përgatitjes së librit prof. dr. Azem Hajdari  është mbështetur edhe në Kodin Penal, Kodin e Drejtësisë për të Mitur, Ligjin për Policinë dhe legjislacionin tjetër në fuqi që interferon në lëmin që është objekt studimi i kësaj lënde mësimore. Përveç studentëve të fakulteteve juridike, ky libër mund të ju shërbejë edhe të gjithë atyre të cilët në çfarëdo mënyre, merren me çështje të kriminalitetit. Në këtë aspekt, libri mund të ju shërbejë gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, policëve etj.

NDIHMA JURIDIKE DHE EKSTRADIMI 

Është libri tjetër me shumë vlerë i prof. dr. Azem Hajdarit që është mirëpritur nga studiuesit e fushës. Libri përmban: Nocioni, funksioni, sistemi dhe çështje të tjera të lëndës së ndihmës juridike dhe ekstradimit, Transferimi i Procedurës Penale shtetit të huaj, Transferimi i personave të dënuar në përgjithësi, Ndihma e vogël juridike-Penale Ndërkombëtare, Bashkëpunimi me karakter të veçantë, Treguesi i shkurtesave të përdorura. Në parathënien e këtij libri prof. dr. Azem Hajdari ka sqaruar prej vitesh ishte nevoja e botimit të një libri të tillë e të posaçëm për ndihmën juridike dhe ekstradimin. Kjo nevojë doli nga fakti se në kuadër të Fakultetit Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në programin Master në drejtimin Juridiko-Penal,  lënda ishte parashikuar si provim i veçantë. Në këtë aspekt ekzistonte kërkesa e pashprehur publikisht e opinionit profesional që tematikat që përfshihen në kuadër të programit të lëndës së ndihmës juridike dhe ekstradimit të marrin dimension të avancuar trajteseje, në kuptimin që studentëve t’u lehtësohet puna për përgatitje të provimit nga kjo lëndë. Si dhe që atyre që janë profesionistë të fushës në këtë aspekt  t’u ofrohen mundësitë konkrete për të marrë dije të reja. Për të plotësuar vakuumin ekzistues të literaturës në gjuhën shqipe në këtë lëmi të rëndësishme penale ndërkombëtare, prof. dr. Azem Hajdari ka bërë përpjekje maksimale që në këtë libër të elaborohet instituti i ekstradimit dhe institutet tjera të bashkëpunimit ndërkombëtar në lëmin penal, siç janë transferimi i ndjekjes penale shtetit të huaj, ekzekutimi i aktgjykimit penal të juaj, transiti etj. Këto institute janë trajtuar nga prizmi i të drejtës ndërkombëtare, posaçërisht sipas të drejtës evropiane dhe zgjidhjeve të parashikuara në legjislacionin penal të Kosovës. Ky libër u dedikohet studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Prof. dr. Azem Hajdari ka menduar se libri do t’u shërbejë edhe studentëve të fakulteteve juridike,  bartësve të arsimit të lartë privat në Kosovë, studentëve të fakulteteve juridike në Tiranë, Tetovë etj. Ky libër mund të ju shërbejë edhe të gjithë atyre të cilët në çfarëdo mënyre qoftë merren me çështje të kriminalitetit, apo dhe gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, policëve etj.

Leave a Reply