Dragash, 16 prill 2015 – Rruga e re që e lidh me botën fshatin Pllajnik të Opojës, në komunën e Dragashit, e cila u përurua në gusht të vitit 2013, nuk po ndalon së shemburi.
Pas shembjes në vetëm një vend, kjo rrugë ka filluar të shembet edhe në disa vende të tjera, gjë që banorët e fshatit i ka bërë të dorëzohen dhe të heqin dorë nga aksioni për ta sanuar pjesën e cila ishte shembur ditë më parë.
“Tashmë nuk mund të bëjmë gjë. Duhet t’i rikthehemi rrugës së vjetër, të paktën gjatë stinës së verës, me shpresë se qeveria to të merret seriozisht me sanimin e kësaj rruge që kushtoi aq shtrenjtë”, i tha Radio Sharrit, njëri nga banorët që i është gëzuar më së shumti ndërtimit të kësaj rruge, por që ngurron të përmendet në publik.
Më 19 gusht të vitit 2013, kjo rrugë u përurua me një festë të bujshme tradicionale që organizuan banorët e fshatit, i cili ka lartësinë më të madhe mbidetare nga të gjitha fshatrat e trevës së Opojës. Por, duket se dimrit të dytë nuk i ka rezistuar, pasi reshjet kanë qenë të bollshme dhe, sipas njohësve të kësaj fushe, aty ku ka qenë dheu i hedhur, uji e ka trazuar.
• Foto: Gëzim QUSAJ