Dragash, 19 janar 2015 – Gjeneratat e reja, të cilat ndodhen jashtë vendit, jo vetëm që shikojnë të zgjidhin çështjen ekonomike të familjes së tyre, por ka nga ata që edhe jashtë vendit veprojnë për të mirën e kombit dhe shtetit nga e kanë origjinën. I tillë është edhe Kasim Qafleshi, nga Bellobradi, i cili përmes Shoqatës “Kosova” në qytetin e Lincit, në Austri, angazhohet për mirëqenien e të rinjve dhe jo vetëm.
Në emisionin “Aktualitete”, i cili sapo u transmetua në valët e Radio SHARRI-t, Kasimi ka sqaruar se kjo shoqatë e mërgimtarëve tanë në Austri, përpos ndihmave materiale që iu ka ofruar shtresave të varfra në vendlindje, merret edhe me aktivitetet e rinisë në qytetin e Lincit, përmes formave të ndryshme, me qëllim që t’i largojnë ata, siç thotë, nga rruga e mbrapshtë dhe pa perspektivë.
Ai nuk ka lënë pa prekur edhe çështjen e emigrimit të të rinjve, ku ka përmendur edhe disa persona nga fshati Plavë, në komunën e Dragashit, për të cilët ka thënë se iu ka ndihmuar atje, por ua ka bërë me dije se duhet të kthehen ne vendlindje, pasi ilegaliteti nuk është perspektivë.
• Shiko VIDEO