Prishtinë, 26 nëntor 2014 – Kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi, është shprehur krenar me FSK-në, për të cilin akronim thotë se do të ndryshohet shumë shpejtë. “Sot ishte një ditë e veçantë, dedikuar vashave dhe djelmoshave më të guximshëm të atdheut, në Forcat e ardhshme të Armatosura të Kosovës. Sot ishte viti i fundit, kur ushtarët tanë mbajnë emblemat FSK, në vigjile të Ditës së Pavarësisë dhe festave të nëntorit. Prandaj, ishin në Prekaz për t’i bërë homazhe Komandantit Legjendar dhe familjes së tij. Thash me këtë rast se garantojmë që institucionet që kanë dalë nga vota e lirë e qytetarëve të Kosovës, do ta kenë prioritet krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si bartëse e trashëgimisë sonë dhe vlerave që i takojnë thellësisht familjës së shteteve euroatlantike”, ka shkruar Thaçi në Facebook, duke shprehur ndjenjën e krenarisë për formacionet e FSK-së, për të cilat thotë se nesër do të jenë FAK.