Prishtinë, 18 tetor 2014 – Gazetari, Fahri Musliu, i ka mohuar shkrimet se gjoja është babai biologjik i kryeministrit aktual serb, Alekasndar Vuçiq. “Miq të nderuar, para pak çastesh, portali Gazeta Express e ka lëshuar një tekst, të marrë nga një gazetë e Zagrebit, për gjoja lidhjen time familjare me kryeministrin serb, Alksandar Vuçiq. Ky është një trillim i kulluar, të cilin qysh para dy vitesh e ka plasuar një revistë e Beogradit ‘Tabloid’ që merret me skandale. Prandaj, e kundërshtoj me forcë këtë shkrim dhe e konsideroj fyes, denigrues e tendencioz, meqë nuk ka të bëj asgjë me të vërtetën”, ka shkruar Musliu në profilin e tij në Facebook.
Reagimi vjen pas shkrimit në portalin “Dnevno.hr”, ku thuhet se Vuçiq ka prejardhje shqiptare nga babai. Sipas këtij portali, babai biologjik i shefit të qeverisë serbe është gazetari shqiptar, Fahri Musliu. Ky portal ka postuar edhe fotografitë e Musliut dhe Vuçiqit, për të krahasuar ngjashmëritë ndërmjet tyre.
Sipas reagimit të Musliut, duket se portali i parë ka qenë “Gazeta Express” që e ka transmetuar këtë supozim për publikun shqiptar. Kjo ka bërë që të reagojë edhe deputetja, Alma Lama, e cila ka shfaqur shqetësim për moszbatimin e rregullave dhe kodeve që duhet t’i kenë mediat. “Në rast se një media, vendore ose e huaj, spekulon dhe shpif rreth një çështje, pra shkruan pa asnjë fakt, është e pajustifikueshme që mediat tjera ta marrin të njëtin informacion dhe ta ribotojnë. Ato mbajnë përgjegjësi ligjore për shpifje, po aq sa edhe media që e publikon për herë të parë. Fatkeqesisht, kjo po ndodhë për ditë në mediat e Kosovës”, ka shkruar deputetja Lama në profilin e gazetarit Musliu.