Në Zgatar zbulohet pllaka përkujtimore e ballistit, Xhelil Jenuzi


nuri xhelil jenuziDragash, 13 tetor 2014 – Në fshatin Zgatar të Opojës, në komunën e Dragashit, sot është përuruar pllaka përkujtimore e luftëtarit ballist, Nuri Xhelil Jenuzi. Në këtë ceremoni morën pjesë familjarë të këtij atdhetari, bashkëfshatarë të tij, përfaqësues të Komunës së Dragashit, historianë dhe shumë të ftuar të tjerë.
Para të pranishmëve u paraqit me një fjalë rasti, trashëgimtari i emrit të këtij patrioti opojan, nipi Nuriu. “Me zbulimin e kësaj pllake përkujtimore, duam t’i informojmë brezat e ri për këtë figurë të harruar, figurën e nacionalistit, Nuri Jenuzi, i cili gjithmonë kishte ide përparimtare që populli shqiptar të mos i nënshtrohej zgjedhës së robërisë”, tha nipi i këtij patrioti, Nuriu. Ndërkaq, kreu i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, tha se Nuri Jenuzi ishte ndër atdhetarët më të devotshëm të fshatit Zgatar, i cili luftoi për lirinë e shqiptarëve.
Për figuren e ish anëtarit të Ballit Kombëtar, Nuri Jenuzit, folën edhe historianët, Enver Bahtiu dhe Skender Nebiu, të cilët thanë se, me zbulimin e kësaj pllake, po bëhet korrigjimi i një historie të dhimbshme që përjetuan shumë figura të shquara që luftuan për çështjen kombëtare.
Në emër të fshatit, të pranishmëve iu drejtua Naser Veseli, i cili ditën e sotme e cilësoi si tejet të rëndësishme për banorët e këtij lokaliteti. “Në etapa të ndryshme, ne i falëm atdheut burra të mëdhenj, si Ymer Prizreni”, tha Veseli.
Më pas, familjarë të Nuri Jenuzit shpalosen pllakën përkujtimore kushtuar këtij atdhetari, ndërsa nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së fshatit shfaqën një program të pasur artistik.
Nuri Xhelil Jenuzi kishte lindur në vitin 1911, ndërsa në vitin 1943 u inkuadrua si vullnetar në radhët e Ballit Kombëtar. Po këtë vit, ai u vra nga partizanët në pyell, mes Bellobradit dhe fshatit Brrut, tek vendi i quajtur “Kroi i ftohtë”.