Edhe po të jesh mbret, në shtet të huaj nuk ndihesh rehat!


nora bereza beogradBeograd, 30 shtator 2014 – E përdor shpeshë fjalinë popullore, se në vend të huaj, edhe po të jesh mbret, nuk ndihesh rehat. Ndonëse Beogradi pretendon të jetë një qytet evropian, megjithatë ende është larg këtij epiteti. Këtë e dëshmon bashkëbiseduesja jonë, Nora Bezera, e cila ka lindur dhe është rritur në kryeqytetin serb, ku sot ligjëron në Universitetin e Beogradit. Megjithatë, ajo mbetet një shqiptare dhe, të jetosh në Beograd si e tillë, nuk është aq këndshëm.
Në një bisedë të mëhershme për “Zërin”, Nora ka deklaruar se, kur e kishte njoftuar një mik të saj serb në Beograd, duke iu prezantuar se është shqiptare, reagimi i tij ishte i habitshëm. “Ti je shumë e bukur për të qenë shqiptare”, ia kishte kthyer ai. Ky është vetëm një detaj nga jeta e Nora Bezerës në Beograd, edhe pse ajo e pranon se ky qytet ka ndryshuar shumë. “Në fakt, Beogradi është zhvlluar shumë, duke u shndërruar në një metropol. Megjithatë, ende ka shumë paragykime dhe diskriminime”, thotë Nora, në një bashkëbisedim me gazetarin nga Radio SHARRI.
E veshur me modesti dhe duke të shikuar përmes xhamit të syzeve, vajza 27-vjeçare nga Beogradi, por që familja e saj është me prejardhje nga fshati Rashiq i Pejës, duket një evropiane e vërtetë. Por, Nora kurrë nuk e fsheh prejardhjen e saj. Përkundrazi, i shkëlqejnë sytë nga gëzimi, sa herë që në Beograd takon ndonjë shqiptar, sidomos ata nga Kosova. Edhe babai i saj ka lindur në Beograd, në vitin 1960, pak kohë pasi gjyshi i Norës kishte filluar punën në kryeqytetin e shtetit të dikurshëm 25 milionësh, Jugosllavi. Sot, Nora ka mbaruar masterin në katedrën e gjuhës shqipe në Beograd, prandaj flet shumë rrjedhshëm shqipen, sa që shumë studentë e profesorë nga Kosova do t’ia kishin lakmi. “Kur e kërkon nevoja, di të flasë edhe në zhargon, që të kuptohem nga bashkëbiseduesit”, thotë Nora nora bezera diplomaduke qeshur, edhe pse e pranon që asnjëherë nuk dëshiron ta “tradhëtojë” shqipen letrare që e ka mësuar në fakultet dhe që i është përkushtuar aq shumë gjatë studimeve. “Kjo, sepse idoli im gjatë studimeve ka qenë dhe mbetet ende, profesori i nderuar, Idriz Ajeti, ngaqë edhe mua, sikurse atij dikurë, më intereson dialektologjia e shqipes dhe ndikimi i serbishtes në gjuhën shqipe, si dhe anasjelltas”, sqaron Nora, jeta e së cilës përcillej me përplot diskriminime, si gjatë shkollimit, ashtu edhe më pas. Ajo është një altruiste, e cila na rrëfen për punën e saj në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Beograd. “Tash e pesë vjet punoj si bashkëpunëtore. Nuk marr pagë, por fakulteti m’i paguan shpenzimet për studimet në doktoraturë”, thotë Nora, duke shtuar se punësimi i saj në fakultet ka bërë që ajo të ndjehet e diskriminuar edhe më shumë. “Ka pasur raste, kur serbët janë punësuar menjëherë, duke mos e marrë parasyshë kohën e gjatë që unë ndodhem aty duke punuar si bashkëpunëtore”, thotë Nora, duke mos harruar t’i përmend studentët që iu ligjëron, për të cilët thotë se i ka për qejf. “Ata janë shumë të kujdesshëm ndaj meje dhe nuk kanë paragjykime fare për shqiptarët. Edhe shoqëria ime janë serbë, por që as ata nuk kanë paragjykime për ne shqiptarët. Për ta nuk ka rëndësi se çka jam unë”, thotë vajza shqiptare nga Beogradi, e cila, megjithatë, pranon se jeta e saj në këtë qytet përcillet me përplot sfida, pa përjashtuar këtu diskriminimet që i ka përjetuar si shqiptare.
Teksa fletë, kujtimet e rikthejnë Norën në Rashiq të Pejës. Atje ku kishte lindur gjyshi i saj. Një fotografi ajo e mban me shumë kënaqësi me vete dhe ia tregon secilit shqiptar që e takon. Fotografia është bërë në Kosovë, kur Nora ishte tejet e vogël. “Këtu mbaja në dorë një qenush. Kjo fotografi është bërë në Kosovë”, sqaron ajo fotografinë që e ka për qejf.
Kujtimet e saj me shqiptarët, nuk lidhen vetëm me këtë fotografi. Ajo tregon edhe për miqësinë që kishte familja e saj me aktorin e madh shqiptar, Bekim Fehmiun. “Sa isha e vogël, më mbante në prehër. I pëlqeja shumë si fëmijë. Ishte vërtet ndjesi e mirë. Ai ka qenë një shqiptar i vërtetë”, fletë Nora me admirim për Bekim Fehmiun, duke shpalosur edhe një detaj për jetën e aktorit. “Ai kishte regjistruar edhe Fakultetin e Filologjisë. Indeksin e tij e kam unë në shtëpi dhe e ruaj me fanatizëm”, rrëfen Nora Bezera, e cila këtë dokument nga studimet e aktorit, e konsideron si një dhuratë të shenjtë. Ajo e pranon se nuk ka krijuar ende një lidhje dashurie, pasi “princi” i saj, domosdo duhet të jetë shqiptar. Prandaj, ajo e sheh vetën në një vend tjetër, jo në Beograd.nora bezera qenushi
Gazeta “Zëri” ka raportuar se Nora ka filluar tashmë të kërkojë punë në institucionet e Kosovës, ku po pret përgjigje nga këto të fundit. “Pas 10 vjetësh, veten e shoh në Prishtinë. Të punësuar si lektore, me doktoraturë të mbaruar, e martuar dhe me dy fëmijë”, flet vajza, paksa me turp, për synimet e saj, duke dhënë dhe arsyet se përse e shikon ardhmërinë në Kosovë. “Nuk dua që fëmijët e mi të rriten në Beograd, të ballafaqohen me vështirësitë që i kam përjetuar unë. Në Prishtinë ndjehem mirë dhe frymoj më lirshëm”, thotë vajza, duke mos e fshehur se, megjithatë, do t’i mungojë edhe Beogradi. “Nuk është se nuk ndjehem beogradase. Por, gjërat që dëgjoj në mediat e Serbisë për shqiptarët, më bëjnë të mos ndjehem pjesë e kësaj shoqërie”, thotë ajo, duke shpresuar se shumë shpejtë do të gjendet në Prishtinën e ëndrrave të saj.
Megjithatë, është e vetëdijshme se në Prishtinë do ta presin problemet tjera, siç është mungesa e ujit, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe shumë e shumë probleme të tjera sociale, me të cilat ballafaqohen prishtinasit. “Këto janë probleme që nuk i kemi këtu në Beograd. Megjithatë, konsideroj se nuk janë këto më të rënda se sa që është korrupsioni. Por, e dua vendin tim, me të mirat dhe dobësitë që ka. E dua vendin tim, sepse aty frymoj lirshëm dhe nuk ndihem si e huaj. E dua, sepse i takoj kësaj shoqërie”, përfundon bisedën për Radio SHARRI-n, vajza beogradase, Nora Bezera.