Sot u hap Tregu i Gjelbër – Dragashi frymoi lirshëm!


hapet tregu dragashDragash, 05 shtator 2014 – Ashtu siç ishte paralajmëruar, të premtën u hap Tregu i Gjelbër i Dragashit, pas më shumë se dy vjetësh, që kur ishte ndërtuar dhe shërbente vetëm si vendparkim. Tregtarë nga të gjitha viset e Kosovës dhe ata nga fshatrat e brezit kufitar nga Shqipëria, janë sistemuar në vende të reja, e që kjo iu ka sjellë paksa vështirësi, por që, pas sistemimit, janë shprehur të kënaqur.
Nga ana tjetër, inspektorët komunalë kanë qenë të angazhur, si kurrë më parë, duke i orientuar tregarët drejt tregut të porsahapur dhe, sipas asaj që i deklaruan Radio SHARRI-it, nuk kanë hasur në asnjë problem. “Gjithçka po shkon sipas planit dhe, falë angazhimit tonë me kohë, nuk kemi pasur probleme me tregtarët. Që të gjithë janë pozicionuar në Tregun e ri, duke u shprehur të kënaqur pasi atje kanë kushte më të mira për aktivitetin e tyre”, tha Selami Behluli, njëri nga inspektorët komunalë, të cilët kishin dalë herët në mëngjes për t’i orientuar tregtarët drejt tregut të ri.
Kompania “Malësori”, e cila e ka fituar tenderin për menaxhimin e tregut, qysh herët ka marrë të gjitha masat për t’i pozicionuar tregtarët, pasi jo të gjithë tregtojnë nëpër tezga. “Është dashur që të pozicionohen të gjithë tregtarët, si ata që do të vendosëshin nëpër tezga, ashtu edhe ata që tregtojnë me kamionetat e tyre. Si rezultat, ia kemi dalë që pa asnjë vërejtje të madhe t’i pozicionojmë, që të gjithë, nëpër vendet e caktuara. Tani e tutje, iu mbetet për detyrë inspektorëve që mos të lejojnë tregtimin nëpër rrugë dhe trotuare, pasi kemi vend për të gjithë”, ka thënë Xhevxhet Tahiri, përfaqësues i kësaj kompanie. Megjithatë, disa tregtarë janë parë në vendet e tyre të vjetra, në trotuare, por inspektorët kanë paralajmëruar se në të ardhmen do të parandalohen të gjithë. “Është dita e parë dhe, mund të ketë aty-këtu ndonjë tregtar që shfrytëzon trotuarin. Por, në të ardhmen, që të gjithë do të detyrohen të futen në treg”, ka thënë, Selami Behluli.