Femrat “dekor” në Kuvendin e Komunës së Dragashit!


komuna dragash femratDragash, 06 gusht 2014 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar “Fletënotimin”, i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 27 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Dragashit dhe subjekteve politike që përfaqësohen në këtë kuvend, për periudhën Janar-Qershor 2014.
Në këtë notim, i cili është bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit, anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Dragashit janë Samidin Xheladini (LDK) me 12.1 %, Emin Kolloni (PDK) me 9.6 % dhe Bahtiar Berisha (LDK) me 9.0 %. Nga ana tjetër, Arieta Skeraj (LDK), Shqipe  Halili (LDK) dhe Mersiha Memshi (CDU), nuk kanë treguar asnjë rezultat gjatë kësaj periudhe dhe nga KDI-ja janë vlerësuar me zero përqind në notimin e përgjithshëm.
Kuvendarët e Dragashit, sipas këtij notimi, në këtë periudhë ngritën 228 çështje, prej të cilave 74 % e tyre kanë  qenë të lidhura me interes për qytetarët e Dragashit, ndërkaq 26 %  e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Dragashit.
Anëtarët e LDK-së prijnë për nga inicimi i çështjeve, me gjithsej 35.1 %, të pasuar nga anëtarët e PDK-së,  me 23.7 % dhe VAKAT me 14.5 % të çështjeve të iniciuara. Lidhur me inicimin e çështjeve të ngritura në këtë periudhë, Samidin Xheladini (LDK) dhe  Emin Kolloni (PDK) kanë shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura, me nga 14.0 %, përkatësisht 11.0 % të çështjeve në total.
Sa i përket legjislacionit komunal, Kuvendi i Komunës së Dragashit në këtë periudhë nuk ka shqyrtuar apo miratuar ndonjë Rregullore komunale. Krahas mosmiratimit të ndonjë rregulloreje komunale, edhe anëtarët e këtij institucioni nuk propozuan inicimin e hartimit dhe miratimit të legjislacionit komunal.
Lidhur me parashtrimin e pyetjeve parlamentare, në këtë periudhë, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit i kanë bërë gjithsej 26 pyetje ekzekutivit të kësaj komune, nga të cilat 77 % kanë qenë të lidhura me interesin e qytetarëve, ndërkaq 23 % e pyetjeve kanë qenë të lidhura me aspektet procedurale të punës së organeve të Komunës së Dragashit.
Anëtarët nga radhët e LDK-së ishin më të zëshmit në parashtrimin e pyetjeve parlamentare, me 42.3 %, të pasuar nga anëtari i vetëm i GIG-ut dhe ata të VAKAT-it, me nga 15.4 % të pyetjeve të përgjithshme. Në këtë kontekst,  anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve ishin Halim Shemsedini (LDK), me 19.2 % dhe Deir Jilmazi, me 15.4 % të pyetjeve të përgjithshme.
Ky Fletënotim për periudhën Janar-Qershor 2014, KDI e ka përgatitur në kuadër të projektit “Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie”, projekt ky i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC), e që ka për qëllim informimin e paanshëm dhe objektiv të qytetarëve, për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Dragashit.