Arrestimi i dytë i “dallaverxhiut” nga Gora e Dragashit!


gjykata denimiDragash, 19 korrik 2014 – Në janar të vitit 2010, pasi iu gjet një mori dokumentacioni, përfshirë pasaporta, letërnjoftime të periudhës së paraluftës në Kosovë, certifikata të lindjes dhe dokumente të tjera, si dhe një pushkë gjahu, pa dokumente valide, ishte arrestuar Rufat Destani, nga fshati Rapçë e Gorës së Dragashit. Atëkohë dyshohej se kishte kryer veprën penale, kontrabandim me njerëz. E gjithë kjo ngjarje zgjati pak kohë dhe, askush nuk u mor me këtë person, i cili njihej si falsifikator dhe “dallaverxhi” në këtë komunë. Dokumentacioni që iu konfiskua para katër vjetësh iu përkiste kryesisht qytetarëve nga komuna e Dragashit, por edhe atyre nga Prizreni, Suhareka dhe jo vetëm.
Katër vjet më vonë, përkatësisht të hënën e këtij muaji, policia sërish arrestoi këtë person, nën akuzën për krim të organizuar, kontrabandim të migrantëve dhe falsifikim të dokumenteve. Kësaj radhe, bashkë me të u arrestuan edhe disa persona të tjerë. “Një gjyqtare e procedurës paraprake, pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ka vendosur që të dyshuarit, Rufat Destani, Bajram Aliu dhe Zenel Halimi nga Dragashi, si dhe Kemal Celina nga Prizreni, të mbahen në paraburgim, nën akuzën për krim të organizuar, kontrabandim të migrantëve dhe falsifikim të dokumenteve”, njoftoi zëdhënësja e kësaj gjykate, Afërdita Kicaj.rufat destani falsifikimi
Rufat Destani dhe të tjerët akuzohen për shkelje të Kodit Penal të Kosovës. Arrestimi u krye pas një hetimi dymujor, me ç’rast hetuesit kanë siguruar informacione dhe prova të mjaftueshme për implikimin e Destanit në kontrabandimin me njerëz.
Zëdhënësi rajonal i policisë, Hazir Berisha, bëri të ditur se është bastisur shtëpia e tij në fshatin Rapçë, ku janë gjetur dhe sekuestruar një mori dokumentesh personale të qytetarëve të Kosovës, të cilat do të përdorën në cilësinë e provave për kryerjen e veprës penale nga ana e Rufat Destanit. “Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur letërnjoftime, pasaporta, certifikata të ndryshme, libreza ushtarake, libreza shëndetësore, certifikata nënshtetësie, certifikata kurorëzimi, si dhe një pushkë gjahu të cilën e mbante pa leje”, ka thënë Berisha.