Dragash, 04 qershor 2014 – Kryeministri në detyrë dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, të mërkurën në Dragash e ka përmbyllur fushatën, duke prezantuar platformën e tij të njohur “Misioni i Ri”, me të cilën synon mandatin e tretë qeverisës.
Në një tubim madhështor, ku pjesëmarrja ishte tejet masive, e që salla e shtëpisë së kulturës nuk kishte vend për të gjithë, premtimi i parë që u bë ishte pikërisht kjo çështje. “Është hera e fundit që ngushtohemi kaq shumë në këtë sallë dhe prapë nuk futeni dot të gjithë brenda saj. Në tubimet tjera do të jeni më komod, sepse do të ndërtojmë një sallë sporti, ashtu siç kemi premtuar edhe në zgjedhjet lokale”, ka thënë kandidati për deputet i kësaj partia nga kjo anë, Bedri Halimi.
Ndërkaq, kreu i partisë më të madhe në vend, Hashim Thaçi, të pranishmëve iu tha se komuna e Dragashit do të përfitoj më së shumti nga Fondi për Zhvillim, pasi një pjesë e madhe e këtij fondi prej 1.5 miliardësh do të shpenzohet për bujqësi dhe blegtori. “Dragashi ofron potencial të madh për t’u bërë destinacion atraktiv edhe për turistët vendas dhe të huaj. Në kuadër të Misionit të Ri, sektori i turizmit, e posaçërisht turizmi malor, do të marrë një hov të vrullshëm zhvillimi, përmes investimeve të mëdha, duke siguruar vende të reja pune brenda mandatit të ardhshëm qeverisës. Përveç investimeve në turizëm, ne do të ndajmë 500 mijë euro për bujqësi dhe blegtori, ku në këtë shumë do të përfitojë edhe Dragashi. Dalja e madhe në zgjedhjet e 8 qershorit, do ta bëjnë fitoren tonë edhe më të thellë. Fitore, përtej bindjeve politike”, ka thënë Thaçi.