Bruksel, 26 maj 2014 – Partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë, të njohura si euroskeptike, korrën fitore në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, duke shënuar rezultatin më të mirë në histori. Sipas analistëve politikë, fitorja e këtyre partive do ta vështirësojë edhe më shumë rrugën për shtetet që synojnë anëtarësimin në këtë familje evropiane, siç është Shqipëria, e cila po pret që në qershor të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Suksesin më të madh e arriti ekstremi i djathtë në Francë, i njohur si Fronti Nacional, i cili raportohet se doli në vend të parë, me 25 për qind të votave.
Kritikët e Bashkimit Europian, të cilët po e shfrytëzojnë zemërimin e krijuar nga kriza e fundit, fituan terren edhe në vende të tjera, përpos në Gjermani, ku proevropianët nuk lëshuan terren. Në Britani, Partia e Pavarësisë (UKIP), e cila bën thirrje për largim nga Bashkimi Europian, shënoi fitore të madhe. Në Holandë, ndërkaq, partia antiislamike dhe euroskeptike, Partia e Lirisë, pati rezultat më të dobët nga sa pritej. Zgjedhjet evropiane mendohet se mund të kenë ndikim edhe në vendimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, që pritet të merret në qershor. Shumë analistë e interpretuan kundërshtimin e Holandës dhe disa vendeve të tjera, dhjetorin e kaluar, si një problem politik të brendshëm të këtyre vendeve, ku partitë e qendrës nuk dëshironin të ofronin “municion politik” për ekstremistët, duke i dhënë statusin kandidat Shqipërisë.