Reagon PDK – Kryetari po e sulmon Radio Sharrin!

Reagon PDK – Kryetari po e sulmon Radio Sharrin!

Dragash, 03 korrik 2025 – Ngjarjet e këtyre ditëve mes Komunës së Dragashit dhe shtëpisë sonë informative, dega e PDK-së në Dragash i ka cilësuar si sulm publik të kryetarit ndaj Radio Sharrit.
Përmes një komunika që kjo parti ka lëshuar mbrëmë, iu bëhet thirrje institucioneve relevante që të reagojnë, ndërkaq publikut të gjërë i kërkohet mbështetje për këtë aset medial që ka kjo komunë. “Të nderuar qytetarë, dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Dragash, që në fillim, nuk ka pasur dëshirë të përfshihet në këtë çështje, duke besuar se mosmarrëveshja do të zgjidhej në mënyrë institucionale, mes Radio Sharrit dhe autoriteteve komunale. Fatkeqësisht, kryeneçësia dhe vazhdimi i bojkoteve e shantazheve nga ana e Kryetarit të Komunës, na detyrojnë të ndërhyjmë publikisht për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe të drejtën e informimit.
Prej më shumë se 26 vitesh, që nga paslufta, Radio Sharri ka qenë dritarja kryesore e informacionit për qytetarët e Dragashit, duke raportuar pa ndërprerje për çdo zhvillim lokal, edhe në kushte të vështira financiare e pa mbështetje institucionale. Ky medium nuk është vetëm zë informues, por arkiv i gjallë i historisë së komunës sonë.
Radio Sharri nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pronë e asnjë partie politike. Ajo u përket qytetarëve – të gjithëve, pa dallim bindjeje apo përkatësie. Kërcënimi dhe presioni i Kryetarit të Komunës, nën arsyetimin banal të mostransmetimit të një seance, është një tentativë e rrezikshme për të heshtur një zë të pavarur dhe një precedent shqetësues. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë nga asnjë Kryetar i Komunës, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Ky sulm nuk është vetëm ndaj Radio Sharrit; ai është paralajmërim për të gjitha mediat dhe portalet lokale, një përpjekje për kontroll politik që cenon rëndë demokracinë lokale.
Prandaj, i bëjmë thirrje Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe organizatave për mbrojtjen e lirisë së medias të reagojnë menjëherë ndaj kësaj shkeljeje dhe të ofrojnë mbështetje për gazetarët në Dragash. Kërkojmë nga Kryetari i Komunës të tërheqë menjëherë bojkotin dhe të ndërpresë çdo formë presioni ndaj Radio Sharrit. Ftojmë qytetarët dhe shoqërinë civile të solidarizohen me çdo medium lokal që punon me ndershmëri dhe paanshmëri. Pa media të pavarura nuk ka demokraci.”, thuhet mes tjerash në reagimin e degës së PDK-së në Dragash, duke shtuar se PDK në Dragash qëndron fuqishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe se nuk do të qëndrojë indiferente ndaj përpjekjeve për ta heshtur fjalën e lirë.