Prizren, 26 maj 2024 – Sot u përkujtuan martirët e masakrës në lagjen “Tusuz” të Prizrenit, ku 25 vjet më parë forcat serbe masakruan mizorisht 27 civilë, në mesin e të cilëve ishin 10 opojanë. Saktësisht, në këtë masakër pësuan familjet Abdylmexhiti, Sylejmani dhe Xhemshiti nga Bresana, familjet Osmani dhe Arifi nga Kuki, si dhe familja Çengaj nga Pllajniku. Këto familje kishin migruar në Prizren gjatë kohës së Jugosllavisë, ku edhe përjetuan masakrën serbe gjatë luftës në Kosovë.
Të vrarët dhe të masakruarit nga Opoja ishin, Rafet Abdylmexhiti – Bresanë, Sami Abdylmexhiti – Bresanë, Shefik Abdylmexhiti – Bresanë, Behar Abdylmexhiti – Bresanë, Yrmet Sylejmani – Bresanë, Hesat Xhemshiti – Bresanë, Bejam Xhemshiti – Bresanë, Bislim Çengaj – Pllajnik, Mirsat Osmani – Kuk dhe Hajrim Arifi – Kuk.
Homazhe tek varrezat e të vrarëve në masakrën e Tusuzit, apo “Lagjja e Trimave” siç quhet sot, bëri edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili tha se martirët dhe dëshmorët e kombit janë dëshmi e qëndresës, rezistencës së popullit, atdhedashurisë, si dhe dëshmi e krimeve të Serbisë. Teksa foli për këtë masakër, kryeministri tha se vetëm dy persona mbahen në burg dhe katër të tjerë ndiqen, por që numri i ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq. “Prandaj, i bëj thirrje Prokurorisë së shtetit që, me fuqinë dhe dijeninë e saj, të bëjë gjithçka, në mënyrë që të ketë drejtësi për më të dashurit tanë që mungojnë tash e 25 vjet. Sepse, vetëm drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë ende dhe vetëm drejtësia sjell paqe të qëndrueshme”, tha Kurti, duke shtuar se, në lapidarin e të rënëve është i skalitur edhe emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atë kohë ishte vetëm 17-vjeç, si dhe Fazile Maçkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, gjatë homazheve që iu bëri këtyre martirëve, tha se “Lagjja e Trimave” e meriton këtë emër, për faktin se dha shumë për Kosovën. “Prandaj, thirrja për drejtësi nuk do të ndalet kurrë, deri sa të zbardhen të gjitha krimet ndaj atyre që e donin Kosovën të lirë. Martirët e masakrës së Tusuzit, përpos dhimbjes, na japin edhe emocion dhe krenari njëkohësisht, sepse të rënët për lirinë e Kosovës janë bazamenti i pavarësisë”, tha mes tjerash Selmanaj.
Të vrarët në masakrën e Tusuzit:
– Sami Abdylmexhiti (1951)
– Shefik Abdylmexhiti (1978)
– Behar Abdylmexhiti (1982)
– Mirsat Osmani (1975)
– Hyrmet Sylejmani (1964)
– Hesat Xhemshiti (1937)
– Bejan Xhemshiti (1975)
– Bislim Qengaj (1921)
– Selvinaze Qengaj (1923)
– Salih Elshani (1936)
– Ymer Thaqi (1945)
– Avdi Berisha (1921)
– Refki Berisha (1961)
– Hajrim Arifi (1977)
– Sani Bajrami (1968)
– Neki Gashi (1935)
– Selim Berisha (1932)
– Feim Berisha (1927)
– Xhemajli Poniku (1933)
– Halil Poniku (1937)
– Fazile Maqkaj (1968)
– Rexhep Maqkaj (1923)
– Nijazi Muja (1959)
– Fadil Ramadani.