Sot bëhen 26 vjet nga konferenca e Rambujesë!

Sot bëhen 26 vjet nga konferenca e Rambujesë!

Dragash, 06 shkurt 2025 – Sot shënohet dita kur më 6 shkurt të vitit 1999 filluan punimet në Konferencën e Rambujesë, në afërsi të Parisit, e cila synoi zgjidhjen paqësore të krizës në Kosovë.
Iniciues të konferencës, e cila zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfgang Petriq nga BE-ja.
Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Por delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Edhe rrethi i dytë i bisedime, që filloi më 15 mars në Paris, përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.
As tentimi i fundit, më 22 mars 1999, i emisarit special të SHBA-së, Riçard Hollbruk, nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bindë presidentin e atëhershëm të RFJ-së, Slobodan Milosheviq, që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare. Kështu që, më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.
Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, me të cilën u vendos protektorati që nënkuptonte praninë ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-un si mision civil dhe KFOR-in, mision ushtarak. Dhe, pas më pak se një dekade, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.


 

KËRKO FJALËT