SHFMU “Fetah Sylejmani” sot shënoi 74-vjetorin e themelimit!

SHFMU “Fetah Sylejmani” sot shënoi 74-vjetorin e themelimit!

Dragash, 27 prill 2022 – Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Fetah Sylejmani” në Dragash, sot shënoi me një program të pasur 74-vjetorin e themelimit, ku fillimisht u bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Dragash ku prehet edhe Fetah Sylejmani, emrin e të cilit e mban kjo shkollë. Përpos nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve, homazhe bënë edhe zyrtarët më të lartë të Komunës së Dragashit, të udhëhequr nga kryetari, Bexhet Xheladini dhe drejtori i Arsimit, Selim Kryeziu.
Manifestimi vazhdoi në oborrin e shkollës, para një numri të madhë të pranishmëve, ku drejtori i shkollës, Flurim Çengaj, foli me pietet për dëshmorin, duke uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë ditë festive dhe përkujtimore. Ai shpalosi historikun e shkolles dhe te arriturat e saj, ku mes tjerash tha se kjo vatër arsimore ka ndërruar disa emra, për t’u emërtuar me emrin e Fetah Sylejmatit përjetësisht. Një fjalim rasti mbajtën edhe kryetari i Komunës dhe drejtori i Arsimit, të cilet uruan për këtë ditë dhe shprehën respekt për dëshmorin, Fetah Sylejmani, si dhe për familjen e tij që ishin prezent. Si mysafire, një fjalë rasti mbajti edhe drejtoresha e shkollës “Qazim Shehu” nga Kukësi, e cila shkollë është binjakëzuar me këtë vatër arsimore në Dragash.
Manifestimi vazhdoi me program artistik, të përgaditur enkas për këtë dit, me poezi, kënge e valle të interpretuara nga nxënësit e shkollave “Fetah Sylejmani” dhe “Qazim Shehu”.

FJALA E DREJTORIT, FLURIM ÇENGAJ

Sot, 74 vite më parë shkolla jonë u themelua dhe filloi punën si vatër e diturisë. Që nga atëherë ajo, bashkë me pjesëmarrësit e saj, kaluan nëpër shumë sfida dhe barriera, të cilat kishin për qëllim të ndalonin shpërndarjen e dijes tek fëmijët tanë. Shkolla jonë, pavarësisht pengesave, qëndroi heroike dhe vazhdoi t’i shërbejë popullit drejt avancimit. Përcolli shumë gjenerata, të cilëa dhanë dhe japin kontributin e pakursyer ndaj shtëpisë së tyre të dytë. Sot, kjo vatër arsimore ka datëlindjen. Kam nderin që si drejtor i kësaj shkolle t’ju përshëndes në këtë përvjetor, që është viti i 74-të i historisë së kësaj shkolle, në veçanti dhe për historinë e arsimit shqip në komunën tonë.
Së pari është nderë i veçantë, për faktin se kjo shkollë, deri tani, disa herë ka ndërruar edhe emrin gjatë periudhës 74-vjeçare të ekzistimit të saj, për të arritur më në fund në emrin e përjetshëm të saj. Pra, kjo shkollë daton që nga viti 1948. Dhe, jo vetëm kaq! E veçanta e këtij viti është edhe fakti se dëshmori i kombit, Fetah Sylejmani, emrin e të cilit e bartë kjo shkollë, sivjet i mbush 54 vite që nga koha e lindjes së tij – 1968.
Fetah Sylejmani, ish nxënës i kësaj shkolle, me punën dhe sakrificën e tij, ka hy përjetësisht në analet e Panteonit Kombëtar. Prandaj, ai tash ka vetëm ditëlindje. Emrin e Fetah Sylejmanit nuk e kemi vetëm në këtë shkollë, as vetëm në Rrasat e Koshares por emrin e tij e kemi tashmë në libra, në pikturë, në këngë, në dramë, në tregime e në poezi. Emri i tij, së bashku me emrat e dëshmorëve të tjerë, u shkrua përjetësisht në historinë më të re të Kosovës.
Gjatë periudhës së funksionimit të kësaj shkolle, nga bankat e kësaj vatre të diturisë, kanë dalë një numër i madh i intelektualëve të profileve të ndryshme, të cilët kanë dhënë dhe po japin kontribut, jo vetëm në komunën tonë, por gjithandej Kosovës.
Arsimi shqip kaloi nëpër sfida dhe periudha jo të favorshme, për të arritur deri në ditën e sotme. Dikush ka patur shumë dëshirë që në këtë shkollë të mos frymojë asgjë e lirë, por se çdo gjë të këtë orientim jugosllav, përkatësisht jo-shqiptar. Por, ketë ëndërr nuk kanë mundur t’a realizojnë falë këmbëngulësisë kolektive të popullatës së kësaj ane në përgjithësi dhe falë këmbëngulësisë së pa shoq të arsimtarëve dhe nxënësve të kësaj shkolle në veçanti.
Gjithësesi, këtu respekt meritojnë edhe arsimtarët dhe nxënësit nga treva e Gorës, të cilët, ndonëse mësimin e bënin në një gjuhë tjetër, asnjëherë nuk shërbyen kolektivisht në realizimin e ambicieve anti-shqiptare të Beogradit. Fakti se arsimi shqip ka mbijetuar që nga koha e monizmit, fakti se arsimi shqip nuk mundi të ndalohej edhe gjatë regjimit barbar të Milosheviqit dhe, fakti se Kosova është çliruar përfundimisht nga kthetrat serbe, na bën jo vetëm krenarë, por edhe na obligon të gjithëve që të jemi më aktivë, më kreativë, më këmbëngulës në luftën për të zënë dituri të reja, në mënyrë që nxënësit e kësaj shkolle të mund të kryejnë fakultete të profileve të ndryshme, për t’u aftësuar sa me shumë në drejtimet që zgjedhin. Kjo, jo vetëm që na obligon neve si staf arsimorë, për të punuar më shumë me nxënës, por jemi të bindur se nxënësit e kësaj shkolle, si dhe të gjitha shkollave të tjera të Komunës sonë, do të jenë krenari, jo vetëm e familjeve të tyre, por edhe e fshatrave të tyre, si dhe e kësaj komune, e pse jo edhe me gjerë, sukurse sot që na u bashkuan në festë dhe na nderuan me pjesëmarrjen e tyre Shkolla e Mesme e Bashkuar “Qazim Shehu” nga fshati Shtiqën i Kukësit, në krye me  dretoreshën, Lindita  Muçmata, të cilët kishin përgatitur edhe një program artistik përshëndetës.
Jemi të lumtur për praninë e të gjithëve në këtë ditë të shënuar për shkollën dhe komunitetin tonë. Ne çdo ditë do ta nderojmë emrin që mbart kjo shkollë. duke mësuar e vazhduar rrugën e dijes me krenari për këtë vend. I përjetshëm qoftë emri i dëshmorit, Fetah Sylejmani. E suksesshme qoftë përherë shkolla jonë. Urime Dita e Shkollës “Fetah  Sylejmani”…

Me respekt, Drejtori i shkollës, MSc. Flurim Çengaj.