Dragash, 11 shkurt 2024 – Policia ka njoftuar sot për zjarrin që shpërtheu mbrëmë mes fshatit Plavë dhe Rapçë, duke dhënë edhe dyshimet e para të shkaktarit të këtij zjarri, i cili dogji një masë të madhe të malit. “Si pasojë e një zjarri që dyshohet të jetë shkaktuar nga defekti në një shtyllë elektrike, janë djegur disa hektarë mal, pronë shoqërore. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë vënë zjarrin nën kontroll mirëpo, për shkak të erërave të mëdha, ka rrezik që të përhapet përsëri”, thuhet në raportin e policisë, duke shtuar se nuk është raportuar për të lënduar.
Ndryshe, zjarri i mbrëmshëm ka alarmuar të gjitha strukturat e kësaj komune, ku kreu i saj, Bexhet Xheladini, përmes rrjeteve sociale ka ftuar edhe popullatën e kësaj ane që të dali në aksion për ta shuar, pasi terreni i vështirë ua ka pamundësuar zjarrfikësve që të vetëm ta lokalizojnë këtë zjarr, i cili ndihmohej nga fryma që të shpërndahej me shpejtësi.