• Abdurrahman Gërdellaj u lind më 19.11.1974, në fshatin Rrenc, komuna e Dragashit. Katër vitet e para të shkollës fillore i kreu në Rrenc dhe katër të tjerat në Bellobrad, në shkollën fillore “Sezai Surroi”. Mësuesi i parë është Elez Loshaj nga Rrenci, kurse mësuesi që më së shumti ka pasur ndikim tek Abdurrahmani, ka qenë Ibrahim Skënderi. Nuk ishte i martuar as i fejuar. Familja e tij është marrë me blegtori e bujqësi. Kur vëllain e tij, Sadetinin, policia serbe e kërkoi për armë, ai u detyrua të largohet nga familja dhe të shkojë në Perëndim, saktësisht në Austri, Hungari etj.
Abdurrahmani, qysh herët ka punuar punët e shtëpisë, në bujqësi. Nga natyra ishte i urtë, dhe përherë i ndihmonte edhe shokët. Shërbimit ushtarak nuk i është përgjigjur dhe, kur e kanë kërkuar për rekrutim, është larguar në Maqedoni, ku punoi deri në vitin 1993, kur edhe kthehet në shtëpi, ku qëndroi deri më 1996 dhe më pas shkon në Austri. Atje do të qëndrojë si azilkërkues tre vjet, deri më 1999.
Ndonëse e kishte vetëm statusin e të strehuarit të përkohshëm, pa kurrfarë dokumentesh, ai punonte sepse ishte punëtor i rryer, ishte i fuqishëm, prandaj edhe paguhej mirë në një shtypshkronjë, si punëtor fizik. Më 18 nëntor 1998, atij iu ndalua hyrja në Austri për 5 vjet dhe u burgos në Klangenfurt të Austrisë. Dëshironin ta kthenin në Beograd por Abdurrahmani nuk pranoi dhe mbajti burgun në Klangenfurt. Kujtojmë se, në luftën e Bosnjës, okupatori serb Abdurrahmanit i vrau katër dajët: Hamet, Munib, Ibro dhe Jusuf Memisheviq. Prandaj, qysh gjatë luftës në Bosnjë, Abdurrahmani kishte dëshirë të aktivizohej atje për t’u dalë në ndihmë vëllezërve myslimanë.
Kur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dha kushtrimin për mobilizimin e përgjithshëm, Abdurrahmani e la punën, pagën e majme dhe, më 18 prill 1999, erdhi për t’u inkuadruar në UÇK, për t’i dalë zot Kosovës. Para se të shkonte te shokët, ai vizitoi familjen në Bicaj, u çmallë me ta, pastaj shkoi t’i vizitojë fëmijët e vëllait, Sadetinit, në Vlorë, të cilët i donte pa masë. Atje e kishte shoqëruar Bujari, djali i Fazli Temës, pronarit të shtëpisë ku ishte e vendosur familja e Abdurrahmanit.
Ditën që po i bashkëngjitej shokëve në radhët e UÇK-së, Abdurrahmani i kishte thënë motrës së vet, Jetmirës: ”Motër, a e di se me ra dëshmor nuk vdesësh kurrë? Si sot si pas njëqind vjetësh ne do të vdesim, por fjala dëshmor është e madhe, e unë kam dëshirë që ta kem këtë fat, se në luftë bien vetëm trimat. Nëse e kam këtë fat, që të bie dëshmorë, ju lutem m’i varrosni eshtrat në vendlindje, se vetëm aty i qetë do të pushoj, e nëse do të jem gjallë do të të pres në fshat me flamur”. Në radhët e UÇK-së ishte edhe vajza e axhës së Abdurrahmanit, Makfirja, apo Filja, siç e thërrasin ndryshe, prindërit e së cilës kishin mbetur në Rrenc, ngase nuk kishin pranuar ta lëshonin vendlindjen. Ajo ishte përkujdesur për Abdurrahmanin si motra për vëllain, siç ishte përkujdesur edhe Abdurrahmani ndaj saj, si vëllai ndaj motrës. Që te dy kanë qenë në Brigadën 128, nën komandën e Ruzhdi Saramatit, në njësitin special, të udhëhequr nga Valbon Qollaku.
Kur mungonte Valboni, e zëvendësonte Abdurrahmani. Njësiti kishte 30 ushtarë. Ashtu siç i ka dashur shumë shokët, ka qenë shumë i afërt edhe me ushtarët. Mezi priste të hynte në Kosovë. Ai kishte hyrë para Files në Junik dhe, kur ishte kthyer nga andej, kishte marrë një grusht dhe me vete. Sapo e takon Filen, i thotë: ”Kqyre oj File, dhe të Kosovës të kam pru. Si të hyjmë në Kosovë, do të shkoj në Rrenc”. Është e natyrshme se e kishte marrë malli për vendlindjen e tij, edhe për gurët e vendlindjes sepse për tre vjet nuk kishte qenë fare në Kosovë.
Gjatë kohës sa ishte në UÇK, Abdurrahmani kishte qenë dy herë në vizitë, nga një ose dy ditë, sa për ta parë familjen dhe përsëri ka shkuar në mesin e ushtarëve. Herën e fundit që ishte për vizitë, kur u zgjua në mëngjes, para se të nisej për t’iu bashkuar shokëve, Abdurrahmani ua kishte lënë të gjithëve nga një plumb për kujtim ndërsa për motrën e tij nuk kishte pasur. Asaj i kishte premtuar se do t’ia sillte herën tjetër. Mirëpo, deshi fati që Abdurrahmani të mos kthehej më dhe plumbin e premtuar, motrës ia solli shoku i tij, Fazli Uka. Atë natë që po fillonte ofensiva për të hyrë në Kosovë, Abdurrahmani ishte shumë i gëzuar. Dikush i tha se Milosheviqi do të nënshkruajë kapitullimin. Jo, thoshte Abdurrahmani, s’ka me e nënshkruar sepse vetë do ta çlirojmë Kosovën. Do ta ndjekim shkaun e s’do t’ia lëmë vendin kurrë në Kosovë.
Më 2 qershor, ora 10.30 minuta, niset për në Cahan, për t’i mbushur bateritë e radiolidhjeve. Me të shkon edhe shoku i tij, Fazli Uka, nga Korisha. Shkojnë bashkë dhe atje hanë bukë, ua ndërrojnë bateritë, duke ua dhënë të gatshme për të mos u vonuar, dhe nisen. Kishte blerë duhan, një konzervë fasule e kishte blerë për Filen. Në atë kohë kishte gjuajtje me predha, nga pala serbe. Zhvilloheshin luftime të ashpra. Në ndërkohë, këta shtrihen për të mos i kapur ndonjë predhë. Mirëpo, për fat të keq, Abdurrahmanin e kishte kapur një copë e predhës dhe e kishte lënduar në qafë, duke i sjellë vdekjen. Para vdekjes, Fazliut i kishte thënë: “Po ta lë amanet që Makfirën t’ma kçyrish si motrën tënde, dhe, përpara, mos u ndalni, fitorja është e jona”
Më kot e priste Filja se do të kthehej Abdurrahmani, ai u ishte bashkuar vargut të të pavdekshmëve, shokëve të përjetshëm të Adem Jasharit. Kur kthehet Fazli Uka tek ushtarët, për herë të parë e njofton Filen, duke i thënë se Abdurahmani e dha amanetin e fundit. Ajo kërkoi të shkonte për ta parë kufomën në vendin e vrasjes, por nuk e lanë, duke i thënë se trupin e Abdurrahmanit e kemi nisur për Kukës. Në Kukës, Filja për herë të parë i tregoi vëllait të vet. Fazli Temaj, nga Bicaj, ishte pronar i shtëpisë ku kishin qëndruar familja e Abdurrahmanit. Prandaj, së pari i tregojnë atij. Ndërkohë, vjen Nysret Skeraj me djalin e tij, dr. Sejranin. Insistojnë disi t’i japin injeksion nënës së Abdurrahmanit, para se t’i tregojnë, por ajo nuk pranoi kurrsesi. Pastaj u tregojnë duke i thënë fillimisht se se Abdurrahmani ishte plagosur. Nga aty nisen për spital të Kukësit. Aty i gjejnë shumë bashkëfshatarë e shokë ushtarë, të cilët kishin ardhur për t’i bërë nderimet e fundit shokut të tyre dëshmor. Aty e shohin edhe trupin e Abdurrahmanit, i cili e kishte vetëm një plagë në qafë, e cila ia kishte shkaktuar vdekjen.
Më datën tre qershor është varrosur me nderime të larta ushtarake. Në varrimin e tij, në emër të shtabit të UÇK-së, foli Bedri Halimi. Shokët e tij në UÇK ishin: Fazli Uka nga Korisha, Sabedin Morina nga Kamenica, Jeton Muçaj, Agim Bojaxhiu nga Plava, Bekim Certolli, Sead Arapi, Dijedon Cahani, Hesat Vushtrria, Skënder Kamenica etj., si dhe dëshmorët: Fetah Sylejmani, Ilmi Bahtijari, Selver Maçkaj, Shpend Berisha, Beran Gashi, Halil Gashi, Sherif Muçaj, Gani Saramati dhe Sali Saramati, të cilët një ditë më parë ishin vrarë në fushëbetejë. Nga njësiti special është vrarë vetëm Abdurrahmani dhe Sherif Muçaj, pasi ka hyrë në Nashec.
Pas çlirimit, më 6 shator, u bë rivarrimi i Abdurrahmanit në varrezat e dëshmorëve në Dragash, me nderime të larta ushtarake dhe me pjesëmarrjen e mbi 10 mijë vetash. Në kompleksin memorial, në Gorozhup të Hasit, është i gëdhendur edhe emri i Abdurrahmanit, së bashku me dëshmorët e tjerë të flijuar në atë zonë. Ndërsa, bashkëfshatarët e tij i ndërtuan një shesh, në hyrje të fshatit Rrenc, në të cilin me respekt i ndërtojnë memorial madhështor birit të tyre dëshmor.
Një copëz biografi ndryshe, në 21-vjetorin e rënies së dëshmorit, Abdurrahman Gërdellaj
POSTIMI PARAPRAKParulla “Vetëvendosje” në fshatin Buçe – Pasojnë reagimet!