Në Prizren trefishohet numri i bizneseve që shuhen!

ura gurit prizrenPrizren, 29 dhjetor 2013 – Duket se viti 2013 është karakterizuar me rënie të qarkullimit në veprimtaritë afariste të Prizrenit. Kështu së paku flasin shënimet në Qendrën Komunale për Regjistrimin e Bizneseve ku, krahasuar me vitin paraprak, gjatë këtij viti është trefishuar numri i bizneseve të mbyllura. Përderisa më 2012 ishin mbyllur 63 dyqane, kryesisht tregtare, sivjet numri i tyre arriti në 184.
Ndërkohë, siç raporton “Zëri”, këtë vit në Prizren janë hapur më pak biznese të reja. Përderisa në vitin e kaluar zyrtarisht janë regjistruar 752 veprimtari të reja, këtë viti numri i tyre është pakësuar për 77 sosh, pasi janë regjistruar 675 biznese, nga të cilat janë shumë pak prodhuese. Qendra Komunale për Regjistrimin e Bizneseve në Prizren (QKRBP), që funksionon si pjesë e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Prishtinë, në kuadër të MTI-së, filloi punën në fund të muajit maj të vitit 2011, që atëherë këtu janë regjistruar 1.880 biznese të reja. QKB është hapur në objektin e sektorit për të hyra publike, që funksionon në kuadër të Kuvendit Komunal, fare pranë zyrave të cilat bëjnë arkëtimin e mjeteve vetanake të Komunës.
Menaxherja e QKRBP-së, Hakide Rogova, tha për “Zërin” se gjatë këtij vitit janë pranuar rreth 1.310 lëndë, prej tyre 675 për regjistrim të ri të biznesit, 184 për shuarje të veprimtarisë, përderisa 67 afaristë kanë zëvendësuar certifikatën e biznesit të lëshuar nga UNMIK-u, me atë të Republikës së Kosovës. “Shumica e bizneseve të reja janë të sferës tregtare, kryesisht markete ose dyqane tjera, disa sosh janë të sektorit të ndërtimtarisë, por më pak janë prodhuese”, tha ajo.
Referuar shënimeve të paraqitura nga vetë pronarët, del se gjatë këtij viti në bizneset e reja të hapura janë punësuar 903 persona. Sipas Rogovës, bizneset e hapura, kryesisht punësojnë nga një ose dy punëtorë, në të shumtën e rasteve janë familjarë të pronarëve. Shifrat flasin se në 384 raste ka pasur ndërrim, zgjerim apo edhe hapje e mbyllje të njësive, në kuadër të veprimtarive afariste.
Ndër arsyet të cilat pronarët i kanë përmendur në formularin përkatës të QKB-së në Prizren është mungesa e qarkullimit afarist. Marcel Lekaj dhe Shefki Kaçka, kanë deklaruar se hapat e këtillë të mbylljes së dyqaneve janë detyruar t’i ndërmarrin vullnetarisht, pasi s’ka punë.
Zyrtarët lokalë thanë se shuarja e veprimtarive nuk është përcjellë me ndonjë detyrim për likuidim eventual, nga ndonjë institucion. Kryetari i Shoqatës së Zejtarëve në Prizren, Afrim Tejeci, pranon se sivjet ka pasur më shumë ankesa për rënie të forcës blerëse. Si pasojë, disa nuk kanë mundur të mbijetojnë. Shadan Shilik, pronar i një dyqani për prodhim të brisqeve, që ndodhet në qendër të qytetit, duke e përshkruar qarkullimin e këtij viti, tha se kohët e fundit mezi arrin të mbijetojë. “Pothuajse varemi nga të huajt, që shërbejnë me mision në Kosovë, sidomos ushtarakët e KFOR-it apo edhe ndonjë turist”, tregon ai. Kryetar i Klubit të Afaristëve të Prizrenit, Liman Asllani, vlerëson se sektori shoqëror, tashmë i privatizuar, nuk punëson më shume se 600 persona, ndërsa sa i përket të punësuarve në sektorin privat, numri i tyre arrin rreth 25 mijë.
Procedurat për regjistrimin e biznesit këtu janë shumë të shpejta, ndërsa një biznes individual mund të regjistrohet brenda ditës, ndërkaq këtu jepen edhe Lejet e Punës. Sipas shënimeve aktuale, në komunën e Prizrenit vlerësohet se veprimtari afariste, përfshirë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, zhvillojnë rreth 5.000 biznese. Po ashtu, situatë e njëjtë sikurse në këtë komunë është paraqitur edhe në komuna tjera të Kosovës ku shumë biznese me nam, e kanë shuar aktivitetin e tyre, pasi që kanë dalë nga tregu, si pasojë e konkurrencës së kompanive të mëdha.

Leave a Reply