Leçe, 14 dhjetor 2014 – Në ambientet e Panairit të Librit “Campi Fiera Salentina citta del libro 2014”, që po mbahet në Leçe të Italisë, shtëpia botuese “Salentobook Besa” të shtunën promovoi përmbledhjen me poezi “Heshtja e dashurisë” të autores nga Kosova, Malësore Llapashtica. Gjatë prezantimit të librit, autorja Llapashtica ishte në mesin e katër shkrimtarëve italianë, Piero Grima, Alessandra Nicita, Gulia Poli Di Santo dhe Franz Cavaliere.
Gjatë një prononcimi të shkurtër për Radio SHARRI-n, Llapashtica tha se ndjente kënaqësi të jashtëzakonshme që po e prezantonte Kosovën në këtë ngjarje të madhe kulturore. “Ishte kënaqësi ta prezantosh Kosovën.
Gjithashtu ishte kënaqësi e madhe ta prezantosh librin në shqip dhe në gjuhën italiane, mes gjithë atyre njerëzve që ishin të pranishëm aty. Në veçanti ishte një ndjenjë e pashoq lumturie, pasi i kisha edhe prindërit e mi në atë ambient, ku edhe ata ndjeheshin shumë krenarë me mua”, tha Llpashtica për Radio SHARRI-n.
Gjatë leximit të poezive nga libri “Heshtja e dashurisë”, që në italisht u prezantua si “Il silenezio del amore”, Llpashtica fillimisht lexonte në gjuhën shqipe dhe pastaj edhe në gjuhën italiane. Kjo është përmbledhja e tretë me radhë e kësaj krijuese të re nga Prishtina, e botuar paralelisht në gjuhën shqipe dhe atë italiane. Libri është redaktuar nga, Fatime Kulli, ndërsa në italisht është përkthyer nga, Klara Kodra.
Malësore Llapashtica ka lindur më 1980 në Prishtinë. Në vitin 2006 u diplomua në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë – dega Letërsi dhe Gjuhë. Në Kosovë ka botuar përmbledhjet me poezi “Zogu i mbyllur” (1997) dhe “I kam mërzitur vrasësit” (2000). Aktualisht, poetja Llapashtica, punon si ndihmës-mësimdhënëse në shkollën amerikane në Itali.
Në Itali promovohet “Heshtja e dashurisë”, nga Malësore Llapashtica
POSTIMI I RADHËSKeku me kokos – Përgatitje e lehtë dhe me kosto të lirë!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.