Në Dragash vetëdijesohen mërgimtarët për regjistrim në atdhe!


diaspora radio sharriDragash, 19 gusht 2014 – Shoqata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore “Thesari” po realizon projektin “Fushatë vetëdijesimi për regjistrimin e mërgimtarëve nga komuna e Dragashit”. Sipas koordinatorit të këtij projekti, Demir Reshiti, projekti në fjalë është duke u realizuar me mbështetjen financiare nga Ministria e Diasporës dhe ka për qëllim vetëdijesimin e mërgimtarëve nga komuna e Dragashit për ta kuptuar rëndësinë e procesit të regjistrimit të diasporës dhe mërgatës. “Shoqata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ‘Thesari’ është ndër OJQ-të e para nga komuna e Dragashit, e cila deri më tani ka realizuar një varg projektesh dhe aktivitetesh kulturore. Projekti më i ri që këto ditë është duke e jetësuar mëton vetëdijesimin e mërgatës për regjistrim edhe në Kosovë, pasi ata janë nga ky vend, pavarësisht se ata jetojnë dhe veprojnë jashtë shtetit”, thotë drejtori i OJQ “Thesari”, i cili njëherësh është edhe koordinator i këtij projekti.
Në emisionin “Aktualitete” në Radio SHARRI, Reshiti ka theksuar se projekti është duke u realizuar në disa faza. “Fillimisht është bërë identifikimi i pjesëtarëve nga diaspora, pastaj janë organizuar takime me mërgimtarët, me qëllim të vetëdijesimit të tyre për rëndësinë e procesit të regjistrimit të diasporës dhe mërgatës, si dhe kemi ndërmarrë hapa për evidentimin e mërgimtarëve të cilët nuk e kanë kryer procesin e regjistrimit, të cilëve iu kemi ofruar ndihmë konkrete në plotësimin e formularit të regjistrimit. Në kuadër të mundësive buxhetore që kemi, është përgatitur edhe
materiali propagandistik, të nevojshme për vetëdijesimin dhe stimulimin e bashkatdhetarëve tanë për tu regjistruar. Përfitues nga ky projekt do të jenë vetë bashkatdhetarët, duke marrë parasysh se komuna e Dragashit ka një numër të madh të popullatës që jetojnë jashtë shtetit, e që vlerësohet se është rreth 1/3 e banorëve të kësaj komune. Ata janë një potencial i madh i pashfrytëzuar, si në aspektin njerëzor (profesionist të fushave të ndryshme), po ashtu edhe në atë financiar (zhvillim të biznesit). Bazuar në numrin e madh të mërgimtarëve nga komuna e Dragashit, kemi vlerësuar se është e domosdoshme që t’iu ndihmohet atyre për ta kryer procesin e regjistrimit”, ka thënë Reshiti, duke shtuar se ideja e këtij projekti është që t’iu afrohet ndihmë konkrete qytetarëve të komunës së Dragashit, të cilët jetojnë në diasporë dhe, njëkohësisht edhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës, në mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit. “Efekti kryesor nga ky projekt do të jetë vetëdijesimi i mërgimtarëve për regjistrimin e tyre në Kosovë, e që do t’iu shërbejë autoriteteve lokale dhe atyre të nivelit qendror për ta ditur numrin e saktë të bashkatdhetarëve por edhe për kapacitetet e tyre ekonomike, të cilat janë mundësi eventuale për të investuar në vendlindje, duke i dhënë shtytje zhvillimit ekonomik të komunës. Njëherësh do të rritej besimi i qytetarëve në autoritetet lokale dhe qendrore, si dhe bashkatdhetarët do të mbesin të kënaqur me qasjen nga ana e shoqërisë dhe institucioneve”, pohon Reshiti, i cili potencon se për zbatimi e këtij projekti janë koordinuar aktivitetet edhe me zyrtarin komunal për regjistrimin e Diasporës dhe Mërgatës, Dritan Ramadanin.
Projekti “Fushatë vetëdijesimi për regjistrimin e mërgimtarëve nga komuna e Dragashit”, është paraparë të realizohet gjatë muajve korrik dhe gusht, periudhë kjo kur numri më i madh i bashkatdhetarëve vjen në vendlindje për t’i kaluar pushimet verore. Shoqata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore “Thesari” është Organizatë Joqeveritare (OJQ) e themeluar në vitin 2000. “Thesari” është ndër OJQ-të e para nga komuna e Dragashit, e cila, siç thotë Reshiti, është themeluar me qëllim të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në komunën e Dragashit dhe jo vetëm, si dhe për organizimin e aktiviteteve kulturore në regjionin e Opojës dhe Gorës, në komunës së Dragashit. “Për t’i përmbushur qëllimet, organizata jonë po ndërmerr aktivitete kulturore për promovimin e kulturës, botimin e revistës ‘Thesari’, botimin e librave, po organizon seminare, tribuna shkencore, orë letrare, koncerte, takime pune, si dhe fushata për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore. Deri më tani kemi realizuar disa projekte, siç ishte ai për ngritjen e vetëdijesimit për arsimim të femrave në zonat rurale të komunës së Dragashit, projekt ky të cilin e ka mbështetur Agjencia për Barazi Gjinore, e cila vepron në kuadër të zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Reshiti në emisionin “Aktualitete” në Radio SHARRI.