Dragash, 07 dhjetor 2015 – Një banor nga Dragashi, pakë ditë pasi kishte montuar në automjetin e tij gomat e reja dhe ishte gëzuar që ia kishte dalë ta mbulonte financiarisht këtë investim, është dëshpëruar, pasi në rrugëtimin e parë drejt Prizrenit, e kishte shqyer gomën në një kanal, i cili tash e një muaj po qëndron hapur në korsinë e majtë të rrugës Dragash – Zhur, saktësisht në aksin prej pesë kilometrash që fillon nga Trokani. “Kot u mundova ta mbaja në mes kanalin, kur në kthesat e shumta nuk i shpëtonte dot goma e pasme. Tani, kujt t’i drejtohem për këtë problem, ndërkohë që paguaj nga 41 euro për çdo vjet? Kush është kjo firmë që po mundka të bëj çfarë të dojë në rrugë, e ne ballafaqohemi me inspektorët për gjëra minore, siç është vendosja e ndonjë malli për ta ekspozuar para lokalit. Ku janë inspektorët që nuk reagojnë për këtë masakër që i është bërë arteries rrugore të Dragashit? Apo, ndoshta këta janë të fortë… më të fortë se shteti. Mbase janë vetë shteti! Turp për këtë shtet që po vjen duke u rrënuar dhe jo duke u ndërtuar”, fliste me mllef ky banor, por që nuk kishte kurajë ta thoshte publikisht identitetin e tij. Ndërkohë, punimet në shtrirjen e një kablloje optike të PTK-së janë ndërprerë dhe askush nuk po e di se çfarë po ndodhë në këtë projekt që po zvarritet tash e një muaj. Banorëve të kësaj ane iu mbetet të përballen me këtë kanal, me gjerësi deri në 20 centimetër, sa herë që marrin rrugën drejt Prizrenit dhe anasjelltas. Më të vështirë po e kanë ata që nuk janë nga Dragashi dhe që vijnë për punë këndej, sidomos ditëve të tregut, pasi nuk e njohin sa duhet këtë rrugë.
Zyrtarët e Komunës së Dragashit thonë se kjo rrugë është nën menaxhimin e Drejtorisë rajonale të Rrugëve dhe nuk mund të intervenojnë, ashtu siç kanë bërë në territorin e komunës së Dragashit, ku nuk është lejuar të dëmtohet asfalti. Ndërkohë, zyrtarët e Telekomit të Kosovës janë cituar të kenë thënë se projekti është investim nga Telekomi i Kosovës dhe posedon leje përkatëse nga komunat respektove, si dhe nga Ministria e Infrastrukturës.
• Shiko pamjet – VIDEO