Lamtumirë, La Rexhep – Pusho i qetë e mi bëj të fala babait!

Lamtumirë, La Rexhep – Pusho i qetë e mi bëj të fala babait!

Nga: Beqir BEQAJ


• Në përvjetorin e dytë të vdekjes së babait, pata shkruar një elegji, duke bashkëbiseduar me të, madje edhe duke e qortuar për sjelljet e tija, karshi pushtetit. Doemos, në këtë bashkëbisedim të kisha përmendur tërthorazi edhe ty… La Rexhep!
Pas një dekade, ja ku po të përmend sërish por, tani po të drejtohem ty, dy ditë pasi kalove në botën tjetër. Ani pse nuk më lexon, unë po të drejtohem Ty pasi, edhe kur ishe në botën tonë, kishim diskutuar për këto tema që po i shkruaj sot. Kishim folur edhe për vitet e para të të tetëdhjetave, për kohën kur unë jetoja në mjerim, ashtu siç ishe edhe ti në fëmijërinë tënde por që, me këmbëngulësi, kishe arritur të shkolloheshe dhe të bëheshe dikushi… Komandir i Milicisë!
Pavarësisht kësaj pozite, ti qëndroje me këmbë në tokë dhe e kuptoje çdo shtresë të popullatës. I kuptoje edhe ata që nuk ngurronin ta kundërshtonin sistemin e asaj kohe, duke kërkuar që ne shqiptarët të bëheshim zotërues në tokën tonë. Kjo të bëri të veçantë, La Rexhep! Kjo të bëri që sot, kur ti ike nga kjo botë, ne që të njohëm të të kujtojmë me respekt.
Respekt edhe nga unë, sepse ti dite të silleshe konform moralit njerëzor, edhe kur babai im të “binte në qafë” duke ta sharë pushtetin, të cilit ti i shërbeje. Dhe, në vend se ta arrestoje, t’i e udhëzoje që të vepronte ndryshe dhe jo në këtë mënyrë! Ai nuk të dëgjonte, derisa Ata, për të cilët kishim biseduar më vonë, ta sollën në zyrë dhe nuk kishe mundësi të veproje ndryshe!
Kur unë të erdha në zyrë dhe kërkova përgjegjësi nga ty, krejt çfarë mund të bëje, ishte njoftimi që më dhe për situatën, për burgosjen e tij dhe, si njeri me moral të lartë që ishe, me dhe para që të mund t’a njoftoja me telegram vëllanë e madh, i cili ndodhej larg Kosovës.
Se nga e kishte zanafillën sjellja juaj njerëzore dhe patriotike, e mësova kur u takuam në Ferizaj, teksa kishe veshur sërish uniformën, tashmë të Policisë së Kosovës! Aty mësova se jeta jote në fëmijëri paska qenë, po aq me vuajtje ekonomike, sa edhe e imja. Mësova që ju kishit qenë në profilizim në Zemun (Beograd), ku edhe unë kapa ca vjet shkollë, disa dekada më vonë. Dhe, ajo që ishte më e rëndësishme për mua, ti me dhe sqarime shtesë për ngjarjen e vitit 1984, kur babai im u burgos politikisht. U bëre burrë dhe ma qartësove gjithë procedurën se, kush, qysh e tek kontribuoi që babai im të futej pas grilave!
E mbajta fjalën, La Rexhep… Nuk e thash asnjë fjalë, derisa ishe në këtë botë. Tani, ashtu siç ishim marrë vesh, më lejohet të nxjerr detaje dhe ta zbardh atë ngjarje, e cila familjes sime i kushtoi shumë, ndërsa ata që i shërbyen atij pushteti, vazhdojnë të krekosen edhe sot, duke na shitur moral për patriotizmin. Por, njëherë tjetër për këtë temë!
Sot, kur janë vetëm dy ditë që u bëre banor i botës tjetër, shpresoj dhe lutem që Zoti të të këtë pranuar në parajsë e mua, nuk më mbetet gjë tjetër, pos të të falënderohem për gjithçka që ke bërë në raport me mua… Faleminderit që nuk e more sekretin në varr dhe që me ke “armatosur me argumente” për atë kohë të pa kohë… Lamtumirë, La Rexhep!
Mi bëj të fala babait dhe, tregoi edhe atij gjërat që mi tregove mua!

Kush ishte Rexhep (Shaqir) Qukovci?

– U lind në fshatin Cërnillë të Ferizajt, më 23 mars 1947, në një familje tejet të varfër. Katër klasët e para të fillores i kreu në vendlindje, për të vazhduar në Babushin Serb, në mesin e brezit të parë që filloi mësimin në gjuhën shqipe pasi, deri në atë kohë, mësohej vetëm serbisht. Aty, mezi ishin bërë rreth 30 nxënës nga fshatrat tjerë, si Mirash, Surçinë, Prelez i Muhaxherëve, Tërnje, Bablak e Rubovc, sepse shqiptarët nuk ndiqnin shkollimin të gjithë.
Pas kryerjes së shkollës fillore, në vitet 1963 – 1966, regjistrohet në Shkollën Ekonomike (Zejtare). Në vitin 1968 shkon në Zemun, komunë kjo që i përketë Beogradit, për të kryer kursin njëvjeçar, për ta veshur uniformën e Milicisë së atëhershme, në vitin 1969. Fillimisht punoi në komunën e Suharekës, për tu transferuar më pas, në vitin 1972, si komandir me gradë të avansuar në Stacionin e Milicisë së asaj kohe, në Llapushnik, komuna e Dragashit, ku punoi për 27 vjet. Ai, pa u shkëputur nga puna, kishte mbaruar edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, dega Histori – Gjeografi. Ishte njeri që lexonte shumë dhe e njihte mirë historinë e popullit tonë. Në vitin 1990, kur milicët shqiptarë e braktisën këtë shërbim, Rexhep Qukovci u pensionua dhe, për një kohë, jetoi në Dragash.
Gjatë shërbimit si milic dhe me funkcione përgjegjëse, me sjellje të mira e dinjitoze, kishte arritur të jetë më i respektuar se askush tjetër. Të gjithë ata që e njohën në rrethin ku punoi e veproi, flasin me pietet të lartë.
Pas luftës, ai ishte aktivizuar në Shërbimin Policor të Kosovës (SHPK), ku punoi një dekadë, duke iu ndihmuar kolegëve të rinj, pasi kishte potencial dhe përvojë në menaxhimin e çdo situate me të cilat ballafaqohej asokohe ky shërbim.