Kosova bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-së!

Kosova bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-së!

Budapest, 03 maj 2016 – Në Kongresin e UEFA-së, që u mbajt sot në Budapest, 28 vende kanë votuar në favor të Kosovës, duke ia mundësuar vendit tonë që të bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-së. Anëtarësimi në UEFA iu mundëson ekipeve të Kosovës të marrin pjesë në garat evropiane, si dhe i hap rrugën Kosovës të anëtarësohet në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA), e cila do të mbajë kongresin e radhës në Meksiko Siti, më 12 dhe 13 maj. FIFA, në janar të vitit 2014, i ka lejuar Kosovës që të luajë ndeshje miqësore kundër shteteve, anëtare të FIFA-s, në nivele klubesh dhe ndërkombëtare. Megjithatë, Kosovës nuk i lejohet të luajë kundër klubeve dhe ekipeve nga shtetet e ish-Jugosllavisë.
Ka qenë po ashtu kërkesë e FIFA-s që ekipet e Kosovës të mos përdorin simbole shtetërore dhe të mos këndojnë himnin shtetëror në lojëra. Prej se Kosova ka shpallur pavarësinë, në vitin 2008, Serbia ka kundërshtuar vazhdimisht përfaqësimin e veçantë të saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karaxhiq, ka thënë se delegacioni i tij do të luftojë fuqishëm kundër pranimit të Kosovës në kongresin e sotëm vjetor të UEFA-së. Gjibraltari është bërë anëtari i 54-t i UEFA-s në vitin 2013, përkundër që Spanja ka luftuar me vite të tëra që territori britanik, në cepin e saj jugor, të mos anëtarësohet në UEFA. Megjithatë, Gjibraltari nuk është anëtar i FIFA-s dhe nuk mund të marrë pjesë në Kupën e Botës.
Deri më sot, statuti i UEFA-së parashihte që anëtar i saj mund të bëhet vetëm ai vend që njihet si shtet i pavarur nga Kombet e Bashkuara. Sot, ky nen u modifikua dhe u mor për bazë njohja e Kosovës nga shumica e shteteve evropiane.

KËRKO FJALËT

Leave a Reply